English Shqip | 

 

Në kuadër të programit mësimor me Kursin e Komandës së Shtabit të Përgjithshëm në modulin “Etika dhe e drejta e luftës”, nga data 22 deri më datë 24 maj 2019 nën drejtimin e shefit të Departamentit të Lidershipit dhe Shkencave Shoqërore Prof.Asc.Dr. kolonel Agim Sula, kursantët e Kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm zhvilluan vizitë mësimore në Sarandë.
Qëllimi i vizitës mësimore ishte njohja e kursantëve me zonën dhe veprimet operacionale të kryera në “Incidentin e Kanalit të Korfuzit” ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, gjykimin e këtij incidenti nga Gjykata Ndërkombëtare dhe pasojat e shkaktuara nga marrëdhëniet midis dy vendeve gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, nëpërmjet prezantimit nga ana e kursantëve e punimeve të tyre mbi këtë temë, improvizimi i seancës gjyqësore të zhvilluar për këtë incident, si dhe njohja me traditat, historikun e zonës, përvojën e reparteve ushtarake në këtë zonë, në veçanti të bazimeve të Flotës Luftarake Detare.
Programi i vizitës së KKSHP në Sarandë përmbante edhe zhvillimin e mësimit me temë “Incidenti i Kanalit të Korfuzit (rast studimi)”. Në këtë mësim të hapur u aktivizuan të gjithë kursantët, të cilët përmes prezantimit të brifingjeve dhe lojës së roleve sipas ndarjes përkatëse nga pedagogët, e sollën ngjarjen e ndodhur në vitin 1946 mjaft reale në ditët tona. Kursantët në pjesën e parë prezantuan temat e përgatitura prej tyre, ndërsa në pjesën e dytë improvizuan një seancë gjyqësore sipas gjyqit të zhvilluar në Gjykatën Ndërkombëtare. Me interes për mësimin ishte edhe pjesëmarrja si të ftuar e stafit ushtarak të Vendbazimit të Sarandës, të cilët ndanë mendimet dhe eksperiencat me kursantët mbi temën e trajtuar.
Programi i vizitës përmbante gjithashtu veprimtari në kuadër të temës si: vizitë në vendbazimin e Sarandës (Distrikti Detar i Jugut) dhe përnjohje e koordinatave të terrenit në Porto Palermo, Kalanë e Lëkursit, Ksamil dhe Butrint.
Vizitat, takimet e realizuara si dhe tematikat e trajtuara e përmbushën më së miri qëllimin e kësaj vizite mësimore KKSHP, si dhe treguan bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer midis studentëve dhe pedagogëve të Departamentit të Lidershipit dhe Shkencave Shoqërore.

Shko në krye