English Shqip | 

 

Në kuadër të zbatimit të programit mësimor të të Kursit të Lartë të Oficerit (KLO), të Akademisë së Forcave të Armatosura, në datat 15-17 maj 2019, u zhvillua një vizitë mësimore në institucionet ndërkombëtare të sigurisë në Mbretërinë e Belgjikës, NATO dhe EUMS. Vizita mësimore u drejtua nga Komandanti Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade prof. asoc. Bajram Begaj dhe në të morën pjesë Zv/Komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, Shefi i Departamentit të Strategjisë dhe Historisë, pedagogu i lëndës si dhe kursantët e KLO.
Qëllimi i vizitës ishte studimi, njohja, analizimi dhe vlerësimi i rolit të NATO-s në mjedisin bashkëkohor të sigurisë dhe përballja me sfidat e së ardhmes, si dhe njohja e aspektit ushtarak të Bashkimi Evropian në kuadër të politikës së përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes, misionet dhe operacionet aktuale ku Bashkimi Evropian është i përfshirë.
Në selinë e NATO-s kursantët e KLO morën leksione mbi Prioritetet Kyçe të NATO-s, Politikat e Mbrojtjes dhe Planëzimit në NATO, Planet dhe Operacionet aktuale të NATO-s, si dhe Sfidat e reja të Sigurisë ndaj Aleancës. Gjatë kësaj vizite u zhvillua një takim edhe me Ambasadorin e Shqipërisë në NATO, Zoti Visho Ajazi dhe Përfaqësuesin Ushtarak të Republikës së Shqipërisë në NATO, gjeneral major Nazmi Cahani.
Pjesë e programit ishte edhe vizita me stafin ushtarak në Selinë e Shtabit Ushtarak të BE, EUMS- Bruksel, ku u pritën në takim nga gjeneral major Giovanni Manione, Zv/Shef i Stafit Ushtarak të Bashkimit Evropian.
Në takimet e zhvilluara me stafin ushtarak të BE kursantët u njohën me dimensionin ushtarak të BE në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, si dhe me misionet dhe operacionet aktuale të BE.
Prezantimet e zhvilluara u shoqëruan me diskutime dhe pyetje-përgjigje nga ana e kursantëve mbi temat e trajtuara. Në përfundim të takimeve dhe prezantimeve komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade prof. asoc. Bajram Begaj, falënderoi referantët për prezantimet interesante dhe shumë informative, si dhe drejtuesit dhe përfaqësuesit e Republikës së Shqipërisë pranë kësaj selie për mikpritjen.

Shko në krye