English Shqip | 

 

Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) si institucion i arsimit të lartë ushtarak, krahas shumë fushave studimore dhe veprimtarive që kanë të bëjnë me sigurinë dhe mbrojtjen, në kuadrin e njohjes së aspekteve historiko-strategjike dhe operacionale në drejtime të ndryshme të territorit të Republikës së Shqipërisë, ka si objektiv në programin e saj mësimor edhe zhvillimin e vizitave mësimore brenda vendit. Në këtë kuadër, grupi i kursantëve të Kursit të Lartë të Oficerit (KLO), të Akademisë së Forcave të Armatosura, në zbatim të plan-programit mësimor, nën drejtimin e Departamentit të Strategjisë dhe Historisë, të udhëhequr nga kolonel Msc.Vullnet Doka, shefi i Grupit të Operacioneve të Përbashkëta dhe Pedagog Përgjegjës, kolonel Msc. Irela Nebiaj, pedagogët e Departamenteve të Strategjisë dhe Historisë si dhe Operacioneve Detare në Përgjigje të Krizave, realizuan një vizitë mësimore në drejtimin: Tiranë – Durrës – Vlorë – Sarandë – Gjirokastër –Tepelenë –Tiranë.
Qëllimi i vizitës ishte studimi dhe njohja me rëndësinë gjeo-strategjike të hapësirës detare të Republikës së Shqipërisë dhe ndikimi në mjedisin e sigurisë; studimi nga pikëpamja historike dhe rolin që kanë luajtur instalimet ushtarake në vijën bregdetare në mbrojtjen e interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë, si dhe njohja me karakteristikat e operacioneve detare dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit në det. Fokusi kryesor i vizitës ishte njohja e vijës bregdetare nga pikëpamja gjeo-strategjike dhe dëshmive historike të mbetura nga Lufta e Ftohtë, instalimet në ishullin e Sazanit dhe Gadishullin e Karaburunit, Baza Detare e Pashalimanit, Baza e Nëndetëseve Porto Palermo, Kalaja e Lëkurësit dhe rëndësia gjeo-strategjike e drejtimit të Jugut, si dhe Operacionet Detare që mund të zhvillohen në përgjigje të krizave në bregdetin shqiptar. Nën drejtimin e pedagogëve përkatës studentët zhvilluan punë përgatitore dhe kërkimore–shkencore paraprake, të cilën e prezantuan para grupit sipas stacioneve respektive.
Vizitat, takimet e realizuara si dhe tematikat e trajtuara e përmbushën më së miri qëllimin e kësaj vizite mësimore të Kursit të Lartë të Oficerit si dhe treguan bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyer, të realizuar nga Departamenti i Strategjisë dhe Historisë së bashku me Grupin e Operacioneve të Përbashkëta dhe Operacioneve Detare në Përgjigje të Krizave.

 

Shko në krye