English Shqip | 

 

2

Pas 10 ditësh nga përfundimi i Kursit të Stërvitjes Bazë, ish rekrutët rikthehen në Bunavi, por tashmë si ushtarë të rreshtuar krah Forcave të Armatosura, të aftë e të përgatitur, për të ndjekur kursin e radhës, Kursin e Stërvitjes Individuale të Avancuar.

Ambientet e Bunavisë janë gjallëruar nga prezenca e ushtarëve dhe bisedat plotë gjallëri mes tyre. Për pak ditë qëndrimi në repartet e Forcave të Armatosura ata nxitojnë ti tregojnë njëri tjetrit se ku janë emëruar, çfarë kanë dëgjuar për repartin e tyre, se ku do të shërbejnë pas mbarimit të këtij kursi, se çfarë synojnë për më tutje etj, etj. Biseda që natyrshëm rrjedhin falë çiltërsisë dhe emocioneve të moshës.

Sinjali i borisë rimblodhi në sheshin e rreshtimit të Bunavisë 126 ushtarë për të ndjekur kursin e SIA, për të marrë specialitetit dhe më tej për të vazhduar karrierën në radhët e Forcave të Armatosura.

Këto ditë, të gjithë në Bunavi janë të angazhuar për pritjen, akomodimin, sigurimin e kushteve të jetesës dhe marrjen e masave për fillimin e Kursit të Stërvitjes Individuale të Avancuar. Komandanti i Shkollës, Kolonel Lulaj, krahas porosive dhe detyrave të dhëna, është edhe vet prezent mes ushtarëve, personelit trajnues dhe mbështetës, me qellim marrjen e masave, fillimin normal dhe vijimin me sukses të këtij kursi.

"Së bashku mundemi, mundemi të bëjmë mrekulli, të bëjmë më të mirën për përgatitjen e këtyre të rinjve, të kryejmë si duhet detyrën që na është besuar!"- theksoi Kolonel Ardian Lulaj në takimin me personelin trajnues dhe mbështetës të Shkollës së Trupës.

Shko në krye