English Shqip | 

  

Në datën 28.03.2019 në sallën e mbledhjeve të Garnizonit të Forcës Tokësore u zhvillua ceremonia e përfundimit të Kursit Bazë të Nënoficerit. Kursi i 40-të Bazë i Nënoficerit filloi me datë 07.01.2019 dhe mbaroi në 28.03.2019 me 48 kandidatë sipas listës së miratuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm.
Kursi Bazë i Nënoficerit zhvillohet në ANO për një periudhë 12-javore dhe ka si qëllim zhvillimin e elementeve thelbësore të personalitetit të tetarit si komandant skuadre, metodist, zotërues i teknikave të punës në togë dhe t’u japë pjesëmarrësve aftësi të mira komunikimi e drejtimi.
Programi mësimor i Kursit Bazë të Nënoficerit është i fokusuar në aftësimin e nënoficerit në realizimin e kërkesave të funksionit organik të tetarit në kuadrin e strukturës organizative të FA-së. Në këtë kurs, nënoficeri merr njohuri teorike dhe praktike për drejtimin e trupave në nivel skuadre. Përvetësimi i lidershipit ushtarak arrihen nëpërmjet moduleve që zhvillohen në akademi, si: Lidership, Drejtim –Komandim, Formim Politik, Metodikë-Didaktikë, Histori Ushtarake, Rregullore/Ligjshmëri, Taktikë, SHLT, Përgatitje Zjarri dhe Përgatitje Fizike.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishin të pranishëm, Komandanti i FT Gjeneral Brigade Albert Mullai, zv.Komandanti i ANO N/Kolonel Bedri Qoli dhe pjesëmarrës të tjerë të ftuar në këtë ceremoni.

Fjalën përshëndetëse e mbajtën komandanti i FT, Gjeneral Brigade Albert Mullai dhe zv.komandanti i ANO-së duke i falenderuar për disiplinën, durimin dhe përgjegjësinë e treguar gjatë zhvillimit të kursit dhe duke iu uruar respektivisht suksese të mëtejshme në karrierën e tyre ushtarake. Në fjalimin e mbajtur në emër të të gjithë kursantëve, N/Tetar Riselda Shkëmbi falenderoi të gjithë trupën mësimdhënëse të ANO-së, “që me shumë profesionalizëm, këmbëngulje dhe durim na mësuan, stërvitën dhe na bënë që të ndjehemi më të sigurt në detyrat që do të na besohen në të ardhmen”.

Në fund të ceremonisë sipas traditës u realizua një foto e përbashkët.

Shko në krye