English Shqip | 

  

 Me rekrutët e rinj në Bunavi vazhdon me ritme të kënaqshme realizimi i treguesve të Programit të Stërvitjes Bazë. Java që kaloi shënoi mbylljen e periudhës së dytë të programit të stërvitjes, ku rekrutët u testuan për programin e zhvilluar deri në përfundim të kësaj periudhe.

Programi stërvitor i periudhës "Blu" fokusohet në zhvillimin e mjeshtërive luftarake bazë, me theks të veçantë, kryerjen e veprimeve në fushën e luftimit, si dhe në zhvillimin e vazhdueshëm të aftësive fizike.

 

Qëllimi i testimit të kësaj periudhe është njohja e nivelit të ecurisë së procesit transformues të rekruteve në këtë fazë dhe përcaktimi i masave të detajuara për periudhën e tretë të këtij programi, në interes të transformimit përfundimtar të tyre nga qytetar në ushtarë të aftë e të devotshëm për të shërbyer në radhët e Forcave të Armatosura.

Testimi i kësaj periudhe u zhvillua nga personeli i Kompanisë së Stërvitjes Bazë, në komponentët e përgatitjes fizike dhe përgatitjes ushtarake.

Qëllimi i testimit në këtë komponent, për këtë periudhë është njohja dhe vlerësimi i realizimit të objektivave të përcaktuara për secilin rekrutë në fillim të programit/periudhës, ripërcaktimi i objektivave dhe parashikimi i pritshmërive për periudhën përfundimtare të Programit të Stërvitjes Bazë.

Në periudhën "Blu" rekrutët konsolidojnë bindjet për tu marrë në fizkulturë dhe sport, më tej, pjesa dërmuese e tyre e konsiderojnë atë si sfidë më vete dhe domosdoshmëri për të përballuar më së miri ngarkesat e larta në procesin stërvitor dhe sfidat e përgatitjes dhe detyrave të mëtejshme.

Në testimin e lëndëve të përgatitjes ushtarake të zhvilluara gjatë kësaj periudhe, u testuan aftësitë e fituara për njohjen dhe përdorimin e armatimit të lehtë të këmbësorisë, lëvizjet në fushën e luftimit, përdorimin e MMKK, njohjen e detyrave të ruajtjes/rojës, orientimin në hartë dhe terren, veprimet rreshtore me edhe pa armë, ndihma e parë dhe tërheqja e të plagosurit në fushën e luftimit etj .

Shko në krye