English Shqip | 

Në zbatim të programit mësimor në fushën e strategjisë, për disa ditë radhazi Departamenti i Strategjisë dhe Historisë në Fakultetin e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Akademia e Forcave të Armatosura, është duke zhvilluar një ushtrim praktik për hartimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare (SSK) me Kursin e Lartë të Oficerit (KLO).
Ushtrimi praktik për hartimin e SSK ka për qëllim njohjen dhe realizimin nga studentët e KLO të procesit të formulimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, aftësimin e tyre si ekspertë të ardhshëm, duke vënë në zbatim elementët e logjikës strategjike në një skenar real dhe gjithëpërfshirës.
Nëpërmjet këtij ushtrimi synohet të realizohen objektiva të rëndësishme në formimin e drejtuesve të ardhshëm të Forcave të Armatosura, të tilla si: testimi i njohurive teorike për politikat dhe strategjitë e sigurisë kombëtare, duke i vënë në zbatim praktik nëpërmjet një skenari real për hartimin e SSK, aftësimi për të gjykuar në mënyrë strategjike, si dhe aftësimi për hartimin e një strategjie të zbatueshme, të përshtatshme, të pranueshme dhe të mbështetur me burime.
Sipas skenarit të këtij ushtrimi, gjatë këtyre ditëve me ngarkesë intensive, studentët e Kursit të Lartë të Oficerit do të aftësohen për të kuptuar vështirësitë reale të përcaktimit të elementëve dhe logjikës strategjike që aplikohen gjatë procesit të hartimit të Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, si dhe të përcaktojnë drejtë objektivat, mënyrat dhe mjetet.

Shko në krye