English Shqip | 

 

Në Shkollën e Trupës Bunavi, kontingjenti i rekrutëve kandidatë për ushtarë detarë në FA sapo ka përfunduar fazën e parë të stërvitjes e ashtuquajtura periudha e “ferrit” dhe që për trupën trajnuese dhe në programin stërvitor quhet periudha “jeshile”.
Në këtë fazë stërvitore që është edhe faza e përshtatjes rekrutët e rinj kanë mësuar dhe janë njohur me rregullat bazë për jetën ushtarake, kanë mësuar dhe janë kalitur me vlerat morale të FA, të traditës dhe etikës ushtarake, kanë marrë njohuritë bazë për armatimin si dhe për herë të parë ata kanë zhvilluar qitje me automatik.
Sipas një rregulli të vendosur, tashmë të konsoliduar, gjatë kësaj faze stërvitore, që përbëhet nga tre javë kalendarike, rekrutët janë të “izoluar “ dhe nuk mund të shkojnë për fundjavë pranë familjeve të tyre. Kjo periudhë stërvitore është një lloj testi se sa ngarkesë mund të mbajnë kandidatët për ushtarë duke qenë në kushtet e jetës në kazermë dhe duke mos pasur kontakt me mjedisin jashtë repartit.
Ditën e shtunë rekrutët zhvilluan testimet e periudhës “jeshile” dhe rezultatet e arritura në përfundim të kësaj faze stërvitore janë premtuese për vijimin e punës edhe në dy fazat e tjera që janë periudha “blu” dhe periudha “e kuqe” që është edhe faza përmbyllëse e programit të Stërvitjes Individuale Bazë.
Prej një viti është krijuar një traditë e cila kishte kohë që nuk aplikohej , në fund të periudhës së parë dhe pas tre javë “izolimi” në kushtet e kazermës rekrutët të organizuar shkojnë për vizitë në qytetin e Vlorës .
Objekt i kësaj vizite është njohja me historinë, traditat dhe kulturën, peizazhin e mrekullueshëm e kësaj treve të jugut të Shqipërisë.
Gjithçka është e planifikuar dhe e mirë organizuar duke gjetur pasqyrim në dokumentet planëzuese. Është kontaktuar me drejtuesit e muzeve të Vlorës për orën e vizitës, janë marrë masa paraprake për vendosjen në gatishmëri të mjeteve të transportit, janë kontrolluar rekrutët për pamje të jashtme sa më dinjitoze.
Dalja me uniformë jashtë kazerme nuk është përfaqësim i vetvetes por më gjerë i ushtarakut të FA të Republikës së Shqipërisë dhe si të tillë ata duhet ta përfaqësojnë me dinjitet këtë uniformë.
Vizita filloi ashtu siç ishte planifikuar ; së pari me sheshin historik të Flamurit aty ku historia bëri bashkë ata burra të urtë e të mençëm , pa dallim feje, krahine dhe ideje të cilët me aktin e tyre kurorëzuan sakrificat dhe gjakun e derdhur në shekuj nga qindra e mijëra patriotë e luftëtarë të çështjes kombëtare, hodhën themelet e shtetit të parë Shqiptar.
Sa emocion dhe krenari kanë pasardhësit e Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Luigj Gurakuqit kur vizitojnë këtë shesh historik që emri i tij u skalit në atë ditë nëntori të viti 1912. Fotot janë gjëja më e natyrshme për të patur një kujtim me uniformën e blertë pranë monumentit që përjetëson shpalljen e pavarësisë kombëtare. Edhe pse një pjesë e tyre kanë informacion rreth aktit të shpalljes së pavarësisë pyetjet janë mëse të natyrshme dhe nga ana e drejtuesëve të aktivitetit u dhanë shpjegimet për secilën pyetje.
Së dyti; vizita vijoi në Muzeun Kombëtar të Pavarësisë në atë ndërtesë të vogël në pamje por të madhërishme në atë që përfaqëson. Në këtë ndërtesë u vendos dhe kreu aktivitetin e saj, prej 28 nëntorit të 1912 deri në janar të vitit 1914, qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali. Në këtë ndërtesë u morën vendime të rëndësishme për ardhmërinë e shtetit të brishte shqiptar.
Rekrutët janë sy e vesh për të parë dhe dëgjuar për çdo foto, dokument dhe komentet që bëri për ta punonjësja e muzeut duke u njohur më në detaje për aktivitetin e qeverisë së Ismail Qemalit . Edhe këtu fotot janë prezente në çdo pavijon, pranë çdo objekti , stende duke na mbajtur me “hatër” ne si ushtarakë pasi në muze fotot janë të ndaluara.
Në hyrje të muzeut janë të vendosur bustet e anëtarëve të kabinetit qeveritar dhe interesi i rekrutëve ishte për ministrin e parë të Mbrojtjes të një shteti shqiptar Mehmet Pashë Dëralla.
Emocion dhe krenari të ligjshme për çdo rekrut pas vizitës në këtë muze ku janë fillesat e shtetit të parë modern shqiptar, ato janë rrënjosur thellë në zemrën dhe shpirtin e këtyre vajzave dhe djemve të cilët me zgjedhjen e bërë për të qenë pjesë e FA të RSH-së shohin ardhmërinë e FA.
Së treti ; pas historisë radha i vjen natyrës së bukur vlonjate që zoti ja ka dhënë me shumicë. Një shëtitje përgjatë Lungomares, një investim i qeverisë Shqiptare, ku kaltërsia e detit, plazhi ranor , rrezet e ngrohta të diellit, gjelbërimi i pishave dhe barit në lulishte krijojnë një atmosferë qetësie dhe relaksi që vështirë se e gjen në tjetër vend.
Kthimi në repart ishte me mbresa dhe kujtime të cilat janë të pashlyeshme në memorien e çdo rekruti. Në ditë plot diell, energji dhe pozitivitet, përfundim i një periudhe dhe sprove të vështirë por që u kapërcye me sukses nga 10 vajza dhe 123 djem me uniformën e blertë të kandidatëve për ushtarë /detarë të FA të RSH-së.
Një javë e re, një fazë tjetër nis , sfida të reja na presin, bashkërisht do të ecim përpara deri në momentin final të çertifikimit si ushtarë të denjë të FA-s të Republikës së Shqipërisë .

Shko në krye