English Shqip | 

 

bwd  Foto 1/2  fwd

Në kuadër të 38 - Vjetorit të Dëshmorëve të rënë në stërvitjen e Fekenit, paraditen e sotme, pranë Obeliskut të garnizonit “Skënderbej”, u zhvillua një ceremoni përkujtimore.

Në këtë event, ishin të pranishëm Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, Komandanti i KDS, Gjeneral Brigade Prof.Asoc. Bajram Begaj, stafi pedagogjik i AFA, kursantë të KKSHP, KLO, si dhe familjarë e të afërm të dëshmorëve.

Në emër të Shtabit të Përgjithshëm dhe Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, në Obeliskun e Dëshmorëve të Fekenit, u vunë kurora me lule nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku dhe Komandanti i KDS, Gjeneral Brigade Prof.Asoc. Bajram Begaj, u bënë nderime e homazhe nga të afërmit e familjarët e të rënëve, si dhe u mbajt një minutë heshtje, për nder të tyre.

Në fjalën e rastit, Zv/komandanti i AFA, Kolonel Edmond Braneshi, ndër të tjerash vuri në dukje se: ”Sot po kujtojmë me respekt këtë ditë të 38 vjetorit të rënies së 11 shokëve tanë në krye të detyrës, të petagogëve tanë të mrekullueshëm, Dushan Shametaj, Çlirim Pulaj e Nikollaq Beros, të bashkëmoshatarëve dhe të shokëve tanë të grupit, Bilbil Pashaj, Aleko Gjoni, Qemal Lika, Besnik Shehu, Pëllumb Rrapo, Ilir Gramatiko, Nexhip Çopa, Bujar Ago, të cilët nuk mundën të dilnin të gjallë nga goditja e atij orteku të tmerrshëm. Ne – vioji Kolonel Braneshi, vazhdojmë ti kujtojmë me respekt dhe mirenjohje, sepse ata sakrifikuan jetën e tyre për të shpëtuar shokët, bënë atë që ne nuk mundëm të bënim për ta, dhe si të tillë gjithmonë do të mbeten në ballin e nderit të Forcave të Armatosura. Dëshmorët e Fekenit, do të mbesin në piedestalin e blertë të Forcave të Armatosura si dëshmitarët e rrugës nga ato vijnë, të vendosmërisë që i karakterizon të dashurisë së përhershme për popullin, shokët dhe tokën e shenjtë”.

Shefi i Shtabit të FA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, nga ana e tij, iu drejtua familjarëve të dëshmorëve se bijtë e tyre dhe studentët e atëhershëm të FA, janë dhe do të ngelen yje të frymëzimit për cdo kënd në FA. “Profesioni i ushtarakut, për nga natyra ka vështirësitë dhe sfidat e veta, të cilat kërkojnë përkushtim e angazhime ngandonjëherë dhe sakrifikuese - u shpreh gjeneral Kollçaku. Prandaj, ne përulemi me respekt të thellë ndaj vetmohimit, e jetës së tyre. Ata do të kujtohen brez pas brezi e me respekt për atë vetmohim, si simbol i sakrificës dhe gadishmërisë. Kujtimi i tyre do të mbetet gjithmonë i paharuar- përfundoi gjeneral Kollçaku.

Edhe sot, janë të gjalla dhe të paharruara figurat e dashura të: Dushan Shametaj, Nikollaq Bero, Çlirim Pulaj, Bilbil Pashaj, Aleko Gjoni, Qemal Lika, Besnik Shehu, Pëllumb Rrapo, Ilir Gramatiko, Nexhip Çopa, Bujar Aga. Ata ranë në fushat e stërvitjes. Ata vinin nga krahina të ndryshme dhe secili kishte nga një histori personale të veçantë. Por ata kishin një qëllim të përbashkët; jetën e kishin vënë në shërbim të gatishmërisë për të mbrojtur Atdheun.

Shko në krye