English Shqip | 

 

Akademia e Forcave të Armatosura (AFA) si institucion i arsimit të lartë ushtarak, krahas shumë fushave studimore dhe veprimtarive që kanë të bëjnë me sigurinë e mbrojtjen, ka si objektiv në programin e saj edhe bashkëpunimin me institucione shtetërore qendrore dhe lokale në kuadrin e njohjes së veprimtarisë së tyre dhe të shkëmbimit të eksperiencës.
Në këtë kuadër,nën drejtimin e Departamentit të Lidershipit dhe Shkencave Shoqërore, Kursi i Lartë i Oficerit (KLO) i Akademisë së Forcave të Armatosura, realizoi një vizitë mësimore një ditore në Institucionin e Prefektit të Qarkut Fier dhe Bashkinë e Qarkut Fier.
Kursi i Lartë të Oficerit, kryesohej nga Dekani i Fakultetit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Kolonel Prof.Asoc. Dr Agim Sula, Shefi i Grupit të Operacioneve të përbashkëta/pedagog përgjegjës për KLO, Kolonele Irela Nebiaj, si dhe pedagogët e Departamentit të Lidershipit dhe Shkencave Shoqërore.
Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja me organizimin dhe funksionimin e njësive të vetëqeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, funksionet, kompetencat, të drejtat dhe detyrat e tyre dhe të organeve përkatëse, në zbatim të detyrimeve të Ligjit 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”, të Ligjit Nr. 107/2016 “ Për Prefektin e Qarkut”, të Ligjit Nr. 8756, “Për Emergjencat Civile”, etj.
Në Bashkinë e Qytetit Fier, grupi u prit nga Kryetari i kësaj bashkie, Zoti Armando SUBASHI dhe nga Drejtori i Emergjencave Civile pranë kësaj bashkie, Major ® Arben DIMO. Në prezantimin nga ana e tyre, si dhe në bashkëbisedimin e zhvilluar, kursantët u njohën me organizimin dhe funksionimin e njësisë së vetëqeverisjes vendore në Bashkinë Fier, funksionet, kompetencat, të drejtat dhe detyrat e bashkisë, si dhe vizionin, arritjet, projektet kryesore të realizuara, e në zbatim e sipër. Në të njëjtën kohë u vlerësua, bashkëpunimi i shkëlqyer që ka Bashkia Fier me FARSH, në rastet e emergjencave dhe fatkeqësive natyrore.
Pas vizitës në Bashkinë e qytetit, grupi vizitoi gjithashtu edhe Institucionin e Prefektit të Qarkut Fier. Në këtë takim, ata u pritën nga Prefekti i këtij Qarku, Kolonel ® Baki BALA. Në prezantimin e organizuar nga ana e Prefektit, grupi u njoh me organizimin dhe funksionimin e këtij institucioni, misionin dhe kompetencat në përmbushje të detyrave të Prefektit si përfaqësues i Këshillit të Ministrave në nivel qarku si edhe për rolin e Institucionit të Prefektit, në drejtim të marrëdhënieve me Njësitë e Vetëqeverisjes Vendore, Degët Territoriale, Policisë Vendore, menaxhimin e Emergjencave Civile dhe marrëdhëniet me qytetarin. Takimet e realizuara e përmbushën më së miri qëllimin e vizitës mësimore të Kursit të Lartë të Oficerit, të cilat u reflektuan dhe në diskutimet e përbashkëta dhe pyetjet e bëra nga grupi.
Vizitat u mbyllen me foto të përbashkëta si në Bashki ashtu edhe në Prefekturën e Qarkut Fier.

Shko në krye