English Shqip | 

Historiku i Akademive dhe Shkollave Ushtarake

Akademia e Forcave të Armatosura u krijua me Vendim të Qeverisë Nr. 136, më datë 10 maj 1958, në Tiranë, në rajonin e Rrapit të Treshit, fillimisht me emërtimin Shkolla e Lartë Ushtarake. Shkolla mbante numrin konvencional: Reparti Ushtarak Nr. 2002. Për formimin e shkollës u ngarkua Kolonel Thoma Xhixho me një grup oficerësh. Këshilli i Ministrave, me Vendimin Nr. 381, datë 28 tetor 1961 vendosi mbi bazën e Shkollës së Lartë Ushtarake të krijohet “Akademia Ushtarake e Republikës Popullore të Shqipërisë” dhe programi arsimor ishte trevjeçar i akredituar nga Ministria e Arsimit. Gjatë historisë së saj 58 vjeçare Akademia e ka ndryshuar disa herë emërtimin por asnjëherë nuk ka ndryshuar misioni i saj në funksion të edukimit të brezave të tërë ushtarakësh për ti shërbyer në çdo kohë dhe në çdo situatë atdheut, në përshtatje me sfidat që shtron koha. Me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave të RPSH, më datë 5 janar 1963, Akademia Ushtarake mori emrin Akademia Ushtarake “Mehmet Shehu”. Vite më vonë me vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 465, datë 24 dhjetor 1992 institucioni u emërtua Akademia e Shtabit të Përgjithshëm. Në vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 37, datë 7 shkurt 1994 Akademia u riemërtua Akademia e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë. Në vitin 1998 Akademia e Mbrojtjes u pranua anëtare me të drejta të plota në Konsorciumin e Akademive të Mbrojtjes dhe të instituteve të studimit e sigurimit të vendeve anëtare të NATO-s dhe PfP. Me Vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë Nr. 180 datë 10.04.2004, Akademia e Mbrojtjes mori emrin Akademia e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”.  Nga data 01.10.2012 Akademia mori emrin Akademia e Forcave të Armatosura në zbatim të dekretit të Presidentit të RSH nr. 7458, datë 11.05.2012 “Struktura Organizative e FA të RSH” dhe përbëhej nga 2 Fakultete: Fakulteti i Sigurisë dhe Mbrojtjes, (ish Akademia e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”), Qendra e Gjuhëve të Huaja si dhe nga Fakulteti i Arsimimit të Përgjithshëm, (ish Akademia Ushtarake “Skenderbej”).  Drejtuesit e këtij institucioni unik në vite kanë qenë: Gjeneralmajor Thoma Xhixho (1958-1961), Gjeneralmajor Spiro Shalësi (1961-1964), Gjeneralmajor Ernest Jakova (1964-1967), Kolonel Koli Mborja (1968-1970), Gjenerallejtënant Vaskë Gjino (1970-1974), Kolonel Mendu Tetova, (1974-1975) Gjeneralmajor Vehbi Hoxha (1975-1977), Prof. Spiro Adhami(1977-1981), Gjeneralmajor Prof. Dr. Kostaq Karoli (1982-1991), Kolonel Halim Abazi (1991-1993), Gjeneral Brigade Dr. Ali Koçeku(1994-1997), Gjeneralmajor Prof. Dr. Ruzhdi Gjatoja (1998-2000), Kolonel Dr. Flamur Skrapalliu (2000-2001), Kolonel Selim Shiroka (2001-2003), Kolonel Dhori Spirollari (2003-2005), Kundëradmiral Dr. Kudret Çela (2005-2008), Kolonel Nexhbedin Shehu (2009-2010), Kolonel Prof. Dr. Kristaq Xharo (Maj 2010-Korrik 2011), Kolonel Msc. Perikli Koliçi (Gusht 2011- Shtator 2012), Kolonel Prof. Asc. Dr. Agim Sula (Shtator 2012-Shtator 2014), Kolonel Prof. Asc. Dr. Idriz Hazhiaj (Tetor 2014-Nëntor 2015), Kolonel Dr. Ruzhdi Kuçi (Janar 2016 dhjetor 2017).

Historiku i Shkollës së Mesme Ushtarake “Skënderbej”.

Në 28 mars 1945 në Tiranë u hap shkolla e “Shkolla e Pionierëve të Luftës”, ku nxënësit e parë ishin 200 partizanë të vegjël midis tyre edhe 7 vajza. Në vitet që pasuan numri i nxënësve do të rritej ndjeshëm. Në shkurt 1947 me urdhër të Komandantit Suprem të Forcave të Armatosura, Nr. A 1-85, datë 11 shkurt 1947, shkolla e pionierëve të luftës mori emrin Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”. Shkolla e nisi veprimtarinë në garnizonin ushtarak të Laprakës, më pas u vendos tek Regjimenti i Ndërlidhjes e së fundmi u vendos tek kompleksi i shkollave ushtarake. Deri në vitin 1953 skënderbegasit morën arsim 7 vjeçar, disa klasë të mesme dhe njohuri ushtarake. Në vitin 1953 u vendos që shkolla “Skënderbej” të bëhej shkollë plotësisht e mesme e arsimit të përgjithshëm, duke përfshirë në të edhe lëndë të karakterit ushtarak. Shkolla kishte program 4 vjeçar të gërshetuar me fushime dimërore e verore 15-30 ditë për çdo vit.Misioni i Shkollës së Mesme Ushtarake “Skenderbej” ishte të përgatiste nxënës me arsim të mesëm ushtarak të përgjithshëm dhe me formim të nevojshëm për ndjekjen e shkollave të larta civile dhe ushtarake për tu përgatitur si oficerë të aftë të Forcave të Armatosura.Nga viti 1960 gati 60% e studentëve të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve vinin nga Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej”. Në vitin 1992 Shkolla e Mesme Ushtarake “Skënderbej” u mbyll.

Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve.


Më 8 nëntor 1944 u hap kursi i parë i perfeksionimit të oficerëve në qytetin e çliruar të Beratit, ku mernin pjesë nënkomandantët e batalioneve dhe kompanive të brigadave të Divizionit të I dhe të III si dhe të brigadave të II, VIII, IX, XI, XVI, XX. Në kursin e parë morën pjesë 220 pjesëmarrës.
Pas çlirimit të vendit kursi i perfeksionimit të oficerëve kaloi në Tiranë tek ish kazermat e- Xhenjos.  Më 12 dhjetor 1944 hapet kursi i dytë i perfeksionimit të oficerëve i cili zgjati tre muaj.  Më 14 janar 1945 u hap kursi i dytë njëmujor, i cili përbëhej nga disa specilitete: komisarë politikë, këmbësori, artileri, prapavijë dhe xhenjo. Në prill të vitit 1945 u hap kursi i prapavijës. Në vitin 1946 shkolla bëri riorganizimin dhe përsosi më tepër programet. Më vonë do të vijonin kurset e me kohëzgjatje 3 mujore, 6 mujore dhe 10 mujore. Në vitin 1948 mbaruan shkollën oficerët e përgatitur në kurset 6 mujor dhe 1 vit. Për herë të parë dolën nga shkolla jo vetëm kursantët e kurseve të perfeksionit por edhe ata të ardhur nga Shkolla Ushtarake “Skënderbej”.  Në vitin 1949 me dekret të Kuvendit Popullur të RPSH, nr. 740 Shkolla Ushtarake u quajt Shkolla e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha” dhe përgatitja e oficerëve të rinj bëhej në sistem arsimimi 2 vjeçar. Në vitin 1961 hapet Shkolla e Marinës dhe në vitin 1962 hapet Shkolla e Aviacionit në Vlorë.  Deri në vitin 1971 Shkolla e Bashkuar e Oficerëve “Enver Hoxha” nuk ka qënë në nivelin e Shkollës së Lartë.  Në vitet 1972-1983 Shkolla e Lartë e Bashkuar Oficerëve kalon në sistemin 3 vjeçar dhe diplomat janë të nivelit universitar. (VKM Nr.160, datë 13.12.1972). Në vitin 1984 Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve kalon në sistemin e Arsimit të Lartë 4 vjeçar. (VKM Nr.8, datë 15.6.1984). Në vitin 1995 Shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve kalon përsëri në sistemin 3 vjeçar dhe quhet Akademia Ushtarake “Skënderbej”. (VKM Nr.445, datë 13.12.1995). Në vitin 2000 shkëputet nga Akademia Ushtarake “ Skënderbej” Fakulteti i Detarisë dhe Aviacionit në Vlorë.  Me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr. 720, datë 30.10.2003 “Për krijimin e Universitetit Ushtarak Skënderbej”, u krijua Universiteti Ushtarak Skënderbej, “...nga bashkimi në një institucion të vetëm i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”, Akademisë së Detarisë dhe Akademisë së Aviacionit, për përgatitjen e oficerëve të rinj të sistemit të Ministrisë së Mbrojtjes. Mbështetur në këtë vendim, Universiteti Ushtarak “Skënderbej” filloi funksionimin, me programet e reformuara, në shtator të vitit 2004 dhe përbëhej nga 2 fakultete, Fakulteti Ekonomik, Dega Menaxhim Biznes dhe Fakulteti i Inxhinierisë Elektronike. Universiteti Ushtarak u mbyll në vitin 2009, duke i transferuar programet e studimit të studentëve të menaxhim bisnesit në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës dhe programet e studimit të studentëve të inxhinierisë elektronike në Fakultetin e Inxhinierisë Elektronike të Universitetit Politeknik të Tiranës. Rektor të Universitetit Ushtarak “Skënderbej” kanë qënë Prof. Dr. Pëllumb Berberi (2004-2007) dhe Prof. Dr. Elmaz Leci (2007-2009). Në vitet 2009-2012, UUS kalon në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” dhe në periudhën 1.10.2012 -1.10.2014 kalon në Fakultet të Arsimit të Përgjithshëm, pjesë përbërëse e Akademisë së Forcavë të Armatosura. Drejtuesit e këtij institucioni në vite kanë qenë: N/Kolonel Irfan Peshtani (1944-1945), Qazim Kapisku (1946-1947, 1948-1949, 1956-1961), Vaskë Gjino (1947-1948), Gjin Marku,(1950-1953), Thoma Xhixho (1953-1954), Kolonel Enver Begeja (1961-1972), Halil Xhuka (1972-1973), Spiro Adhami (1973-1974), Rustem Peçi (1974-1985), Arseni Stroka (1985-1991), Aleks Andoni (1991-1992), Gjeneralmajor Perlat Sula (janar-qershor 1992), Major Armando Vincani (1992-1993), Gjeneral Brigade Luan Hoxha (1993-1997), Kolonel Flamur Skraparlliu (1997-2000), Kolonel Sandër Lleshi (2000-2003), Kapiten i Rang. I Roland Nasto (2003-2004), N/kolonel Jeronim Baze (2004 - qershor 2005), Kolonel Hysen Cekodhima (2005-2007), Gjeneral Bigade Viktor Berdo (2007-2008), Kolonel Idriz Haxhiaj (2008-2009), Kolonel Elez Sakti (2009-2010), Kolonel Roland Berzani (2010-2011), N/Kolonel Petrit Çuni (2011-2012), Kolonel Prof. Asoc. Dr. Qetsor Orhani (2012-2013), si dhe Kolonel Prof. Asoc. Dr. Edmond Braneshi (shtator 2013-shtator 2014).


Akademia e Forcave të Armatosura.


Nga data 1.10.2014, në zbatim të Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 8592, datë 17.06.2014 “Për miratimin e strukturës organizative të FA të RSH” Akademia e Forcave të Armatosura funksionon si Institucion i Arsimit të Lartë dhe përbëhët nga Fakulteti Sigurisë dhe Mbrojtjes, Qendra e Gjuhëve të Huaja dhe dega e Administratës.
Akademia gjatë veprimtarisë së saj ka hedhur hapa cilësorë, duke u shndërruar në një qendër mësimdhënëse cilësore, por njëherësh edhe studimore shkencore të evidentimit, studimit dhe përpunimit të mendimit ushtarak bashkëkohor e doktrinor. Forcimi i lidhjeve dhe bashkëpunimi me institucionet shkencore të vendit dhe të huaja, ka mundësuar përmirësimin e kurrikulumit, duke e harmonizuar tematikën e programeve mësimore edhe me disa akademi homologe perëndimore. Në vijimësi është reformuar në strukturë, emërtim e në programet e procesit mësimor, në përputhje me misionin e saj nga periudha në periudhë.
Nga viti 1973 Akademisë ju dha e drejta për dhënien e gradave shkencore. Në vitin 1975 Akademia Ushtarake cilësohet nga Këshilli i Ministrave institucioni i vetëm për kualifikimin e ushtarakëve të FA, ndërsa në vitet ‘90 ju dha e drejta e propozimeve për tituj shkencorë, si “Profesor i Asociuar”, “Profesor” dhe “Drejtues i Kërkimeve Shkencore”. Kështu Akademia u bë një qendër studimore-shkencore e përpunimit të mendimit shkencor ushtarak. Nga viti 1984 e deri sot janë mbrojtur mbi 145 doktoratura të fushave të ndryshme, shumica e të cilëve pedagogë e punonjës shkencorë të Akademisë, midis tyre dhe “Profesorë të Asociuar” e “Profesorë”.

Shko në krye