English Shqip | 

     e premte 18.05.2018

Në kuadrin e bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe Forcave të Armatosura të SHBA-ve, (ODC) nga data 14 Maj – 19 Maj 2018 në vendin tonë u zhvillua aktiviteti ‘Military Instructor Development TCT’. Në këtë aktivitet morën pjesë nënoficerë dhe oficerë nga Garda New Jersey, të kryesuar nga Major James TOM, kryekapter Steve COSMANIC, tetar Ricardo SUAREZ, tetar Carl ENRIQUEZ, , ndërsa nga rradhët e FA morën pjesë oficerë dhe nënoficerë nga Akademia e Forcave të Armatosura, Akademia e Nënoficerave dhe  bataljoni i 2-të i këmbësorisë. Aktiviteti u zhvillua në ambjentet e ANO-së, KDS, dhe me një vizitë pranë  Bataljonit Komando.

 

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte dhënia e njohurive për zhvillimin e kursit të trajnimit të oficerëve dhe programeve të edukimit të nënoficerëve si pjesë e zhvillimit të tyre ushtarak-profesional. Gjithashtu u diskutuan dhe marrëdhëniet oficer –nënoficer në ushtrinë amerikane dhe shqiptare. Temat e trajtuara dhe diskutuara ishin:  

- Metodat Amerikane për programin e zhvillimit të Oficerit të Ri dhe N/oficerit,

- Orientimi i zhvillimit të programit të Oficerit dhe programit të rekrutimit,

- Kursi ushtarak në proceset e përzgjedhjes,

- Metodat e mësimdhënies,

- Programet e përgatitjes fizike dhe planifikimi i ushtrimeve në terren

- Roli i nënoficerit në vendimmarrje në fushën e luftimit.

Në ditën e parë të aktivitetit u trajtuan tema rreth programeve të zhvillimit të oficerit të ri, parimet e drejtuesit-lidershipit dhe një prezantim i shkurtër mbi programin e rekrutimit të oficerëve të rinj të mbajtur nga Major James TOM. Menaxhimi i proçesit të trajnimit dhe kualifikimit të oficerëve për të pasur një sistem të standart edukimi dhe kualifikimi, referuar korrikulave për edukimin profesional ushtarak të oficerëve, programi i zhvillimit të kuadrove dhe procesi i rekrutimit .

U mbajt takimi me komandantin e b2k, Kolonel A. Hilaj ku u disktutua mbi krijimin e një bashkëpunimi më të gjërë ndërmjet oficerëve dhe nënoficerëve amerikan dhe homologëve shqiptarë. Njëkohësisht ekipi amerikan mbajti takim me komandantin e batalionit të forcave speciale kolonel Ilirjan Dauti.

Në ditën e dytë të aktivitetit u diskutua ndikimi i nënoficerëve në përgatitjen ushtarake dhe profesionale të oficerëve të rinj, dhe marrëdhënia oficer – nënoficer. U trajtuan praktikat amerikane të zhvillimit të metodave të mësimdhënies dhe planifikimit të ushtrimeve në terren dhe programi i përgatitjes fizike të kadetëve. Ky prezantim u mbajt nga krykapteri Steve COSMANIC dhe pjesë e këtij diskutimi u bënë dhe nënoficerët e batalionit të 2-të të këmbësorisë.

Ditën e tretë, Major James TOM mbajti një takim me oficerët dhe komandantët e kompanive të batalionit të 2-të të këmbësorisë, ku u diskutua mbi marrëdhënien e ‘Komandantit të Togës me zv.komandantin e Togës’. Ai vuri theksin tek kohezioni dhe besimi i ndërsjelltë tek aftësitë e tyre, në krijimin e një lidhje profesionale me qëllime të përbashkëta për të mirën e përbashkët dhe efektivit që ata drejtojnë.

Dita e katërt korrespondonte me Ditën e Hapur në Akademinë e Nënoficerave ‘Thomson’, ku të pranishëm ishin Komandanti i Forcës Tokësore Gjeneral Brigade Nazmi Cahani, Komandanti i Akademisë së Nënoficerave kolonel Albert Mullai, ekipi amerikan i kryesuar nga major James TOM dhe personeli i këtij institucioni. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte njohja me historikun  e krijimit të akademisë së nënoficerave, si ka evouluar nënoficeri që nga krijimi i ushtrisë shqiptare, dhe cili është roli i nënoficerit sot në FA.

Ditën e fundit të aktivitetit, ekipi amerikan vizitoi nga afër ambjentet e AFA-së, më pas u takuan me Komandantin e AFA-së, Kolonel A.Bala. Gjatë këtij takimi u diskutua për krijimin e mundësisë së shkëmbimit të eksperiencave dhe bashkëpunimit dypalësh mes AFA-së dhe Gardës së Nju Xhersit për trajnimin e oficërëve të rinj që arsimohen në këtë akademi.

Në përfundim të kursit u konkludua se planet e bashkëpunimit dypalësh, sidomos në fushën e arsimimit dhe trajnimit të oficerëve dhe nënoficerëve duhet të jenë prioritet për vitet në vijim dhe për këtë u diskutua që në të ardhmen të zhvillohen vizita të ndërsjella me qëllim rritjen e eksperiencës në mësimdhënie.

Shko në krye