English Shqip | 

      e enjte 17.05.2018

Në mjediset e Akademisë së Nënoficerave, u zhvillua një aktivitet në kuadër të Ditës së Hapur në këtë institucion. Të pranishëm ishin Komandanti i Forcës Tokësore gjeneral brigade Nazmi Cahani, Komandanti i Akademisë së Nënoficerave kolonel Albert Mullai, ekipi amerikan i kryesuar nga major James TOM dhe personeli i këtij institucioni. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte njohja me historikun e krijimit të akademisë së nënoficerave, si ka evouluar nënoficeri që nga krijimi i ushtrisë shqiptare, dhe cili është roli i nënoficerit sot në FA.
Fjalën e hapjes e mbajti komandanti i akademisë kolonel Albert Mullai, i cili bëri një prezantim të misionit dhe detyrave kryesore të institucionit që ai drejton, institucion i cili përgatit nënoficerë të mirëarsimuar, të quajtur ndryshe ‘shtylla kurrizore’ e ushtrisë shqiptare.

Duke vënë theksin në ambjentet e punës dhe metodat e edukimit bashkohor që zhvillohen në institucion, ai falenderoi të gjithë personelin që kontribuon në akademi, trupën mësimdhënëse në veçanti, për përkushtimin që kanë treguar në realizimin e misionit të këtij institucioni. Sigurisht nuk la pa përmendur dhe falenderuar edhe personelin që nuk shërbejnë më në akademi për punën e kryer.
Gjatë këtij aktiviteti, u trajtuan temat mbi : ‘Rolin e nënoficerit në ditën e sotme’ prezantim që u mbajt nga komandanti i kursit fillestar kryekapter Ilir Mëhalla, i cili u shpreh se ‘… të bëhesh nënoficer nuk është një gjë e lehtë, ajo në fakt është një sfidë ku duhet shumë përgatitje intelektuale dhe fizike, në mënyrë që të realizojë me sukses misionin e tij‘.
Rreshter Klodjan Apostoli bëri një prezantim mbi historikun e krijimit të akademisë dhe statistikat e rolit të nënoficerit nga viti 1912 deri në 1990. Major Orges Bahollari mbajti një prezantim njohës mbi historikun e akademisë që i shërbeu ekipit amerikan të kenë një panoramë sa më të qartë mbi rolin e nënoficerëve në FA shqiptare.
Gjeneral Cahani shprehu mirënjohjen për pjesmarrjen në këtë aktivitet dhe vlerësoi punën e bërë nga ky institucion kontributin e dhënë duke përmirësuar rradhët e ushtrisë shqiptare me nënoficerë të aftë, profesionistë dhe të mirëarsimuar, të gatshëm për të konkuruar me homologët e tyre nga vendet e ndryshme të NATO-s.
Më pas të pranishmit panë nga afër ambjentet e këtij institucioni.

 

Shko në krye