English Shqip | 

Në datën 30.03.2018 në sallën e konferencave të Forcës Tokësore u zhvillua ceremonia e përfundimit të kursit të 38 Bazë dhe të Avancuar të n/oficerit.
Kursi i 38-të Bazë i Nënoficerit filloi me datë 08.01.2018 dhe mbaroi në 30.03.2018 me 45 (Dyzet e pesë) kandidatë sipas listës së miratuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, nga të cilët 44 (Dyzet e katër) arritën ta përfundonin me sukses kursin.
Kursi Bazë i Nënoficerit u zhvillua në ANO për një periudhë 12-javore dhe ka si synim edukimin, formimin dhe zhvillimin e orientuar të cilësive pozitive të personalitetit të individit pjestar i FA-së, përgatitjen e përgjithshme të komandantit të skuadrës në funksion të postit luftarak dhe kompaktësimit të veprimeve të skuadrës.

Ky kurs përgatit drejtues të aftë për të marrë përsipër detyra të përgjithshme si nënoficer në gradën tetar dhe funksionin si komandant skuadre ose detyra të njehsuara me të. Kursi bazë ka si qëllim zhvillimin e elementeve themelore të personalitetit të tetarit si drejtues në rol të komandantit të skuadrës dhe detyra të njehsuara me të si dhe edukimin me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj detyrës dhe gatishmërisë luftarake, zbatimit të urdhërit, forcimit të disiplinës vetjake, ndjenjën e kolektivitetit si dhe aftësi të mira komunikimi.
Kursi 38-të i Avancuar filloi më datë 05.03.2018 dhe mbaroi në 30.03.2018 me 30 (Tridhjetë) kandidatë sipas listës së miratuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, nga të cilët 29 (Njëzet e nëntë) prej tyre arritën ta përfundonin me sukses kursin.
Kursi i Avancuar i Nënoficerit u zhvillua në ANO për një periudhë 8 –javore dhe ka si qëllim zhvillimin e elementeve themelore të personalitetit të rreshterit si zv.komandant toge, metodist, zotërues i teknikave të punës në togë dhe t’u japë pjesëmarrësve aftësi të mira komunikimi e drejtimi. Në këtë kurs, nënoficeri merr njohuri teorike dhe praktike për drejtimin e trupave në nivel toge.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast ishte i pranishëm, zv.Ministri i Mbrojtjes Z.Petro Koçi, Komandanti i KDS- së Gjeneral Brigade Bajram Begaj, Komandanti i Forcës Tokësore Gjeneral Brigade Nazmi Cahani.
Në fjalën e tij, Komandanti i Akademisë së Nënoficerave Kolonel Albert Mullai theksoi : ‘ Më lejoni që të bëj një falenderim të veçantë për të gjithë Ju , pasi secili nga ju shpalosi vlera jo vetëm duke dhënë shëmbullin personal por tregoi edhe aftësitë e tij për punën dhe bashkëpunimin në grup, element ky mjaft i rëndësishëm për aftësimin dhe krijimin e shprehive praktike për të përballuar ngarkesat dhe kërkesat për realizimin e detyrave si drejtues grupi në të ardhmen.” Gjithashtu ai shprehu bindjen se dijet dhe aftësitë e marra gjatë të dy kurseve do ju ndihmojnë për të rritur më tej profesionalizmin për kryerjen e detyrave në strukturat e Forcave të Armatosura ku ata shërbejnë.
Në fjalimin e mbajtur në emër të të gjithë kursantëve, Tetar Ledi Muka falenderoi të gjithë instruktorët, pedagogët, drejtuesit e ANO që me shumë profesionalizëm, këmbëngulje dhe durim na mësuan, stërvitën dhe na bënë që të ndjehemi më të sigurt në detyrat që do të na besohen në të ardhmen. ‘Të qënit nëoficer është një profesion, por, për tu bërë profesionist, nuk mjafton vetëm dëshira e mirë dhe zgjedhja e bërë, por edhe vullneti e përkushtimi, të mbështetura këto në motive për të ardhmen sepse e kemi të qartë misionin tonë. Ne do të na besohet drejtimi i trupave, stërvitja e tyre, jeta e tyre dhe ky është një mision i vështirë, ku kërkohet sakrificë, durim dhe profesionalizëm’.

 

Në fund të ceremonisë sipas traditës u realizua një foto e përbashkët.

Shko në krye