English Shqip | 

      e premte 09.11.2018

Në kuadër të programit të vizitës në vendin tonë të Ministrit të Mbrojtjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës, zotit Rrustem Berisha, paraditen e sotme, në mjediset e Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, u zhvillua një takim i shkurtër dhe përshëndetje me kursantët kosovarë që aktualisht po ndjekin kurset institucionale në Akademinë e Forcave të Armatosura.
Në këtë takim, Ministri i FSK, zoti Rrustem Berisha, shoqërohej nga zoti Sylë Ukshini, ambasadori i Republikës së Ksovës në Tiranë, etj. Nga pala shqiptare, në takim morën pjesë Shëfi I Shtabit të KDS, Kolonel Riza Zaja, Zv.Komandanti/Zv.Rektori i AFA, Kolonel Prof.Asoc. Edmond Braneshi, si dhe Komandanti i kurseve në AFA, Kolonel Halil Kuçana.


Shefi i Shtabit i KDS, Kolonel Zaja, pasi i uroi mirëseardhjen u shpreh se ndjehet i nderuar për vizitën në mjediset e KDS(AFA), duke evidentuar faktin e një bashkëpunimi të frytshëm të deritanishëm me FSK në fushën e arsimimit ushtarak. “Tashmë u bë e traditës që së bashku me oficerët e Forcave të Armatosura shqiptare, KLO e KKSHP ta kryejnë edhe oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Uroj që dijet dhe informacioni që këta oficerë kanë marrë gjatë këtyre kurseve, t’u kenë shërbyer atyre në kryerjen sa më mirë të detyrave funksionale në rradhët e FSK- theksoi, Kolonel Zaja”.
Nga ana e tij, Zv.Komandanti/Zv.Rektori i AFA, Kolonel Prof.Asoc. Edmond Braneshi, bëri një rezyme të shkurtër për kursantët kosovarë, për përgjegjësinë dhe seriozitetin e tyre gjatë ndjekjes së studimeve në kurset përkatëse të KTHOSH dhe KLO. Të gjithë ushtarakët nga Kosova, që diplomohen në institucionet tona arsimore në fakt, kanë treguar nivel të lartë angazhimi profesional, duke pasuruar në këtë mënyrë edhe jetën akademike e ushtarake të këtyre institucioneve- përfundoi, Kolonel Braneshi.
Ministri i Mbrojtjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës, zoti Rrustem Berisha, pasi falenderoi për mikëpritjen, u shpreh se bashkëpunimi me Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes dhe institucionin arsimor të saj, Akademinë e Forcave të Armatosura, është një bashkëpunim i natyrshëm, vëllazëror dhe profesional, i cili ka shumë përparësi. Ky bashkëpunim nuk është vetëm në shërbim të zhvillimit të metejshem  të FSK, në kuader te ndryshimeve të fundit por edhe në shërbim të paqes, stabilitetit të qëndrueshëm në rajoni, në shërbim të axhendës së përbashkët euro-atlantike.
Në përfundim të takimit, më të gjithë pjesëmarrësit u realizua një foto e përbashkët.

 

 

Shko në krye