English Shqip | 

Qendra e Doktrinës dhe Kërkimit i ka fillimet e veta që në janar të vitit 2002, me urdhër nr. 298, datë 16. 08. 2001 të Ministrit të Mbrojtjes “Për kalimin në strukturën e re të FA”, fillimisht e emërtuar Qendra e Doktrinave, Manualeve e Botimeve, nën vartësi të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
Gjatë historisë së saj, Qendra e ka ndryshuar disa herë emërtimin, por asnjëherë nuk ka ndryshuar misioni i saj, në funksion të zhvillimit e përpunimit të doktrinës së përbashkët dhe monitorimit e sinkronizimit të publikimeve doktrinare të Forcave të Armatosura.
Me ndryshimet strukturore të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes në dhjetor 2003, Qendra e Doktrinave, Manualeve e Botimeve u emërtua Qendra e Përpunimit të Doktrinës, duke ruajtur përsëri misionin për kërkimin në fushën e doktrinave dhe manualeve.
Në ristrukturimin e Forcave të Armatosura në vitin 2007, me emërtimin Qendra e Doktrinave dhe Manualeve, kaloi në vartësi të Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu”.
Në ristrukturimin e Forcave të Armatosura në vitin 2012, në bazë të Dekretit të Presidentit të RSH nr. 7458 datë 11. 05. 2012 “Struktura Organizative e FARSH”, urdhrit të MM nr. 365, datë 18. 05.2012 “Për kalimin në strukturën e re të FA” dhe urdhrit nr. 16, datë 01.06.2012 “Për riorganizimin e strukturave të KDS”, prej datës 01.10.2012, me emërtimin “Qendra e Doktrinës”, kalon si institucion studimor, në vartësi të Komandantit të KDS, duke marrë përsipër edhe disa përgjegjësi që më parë i kishte QAM, sikurse janë ato në fushën e standardizimit, mësimeve të nxjerra, kërkimit dhe analizës operacionale.
Nga data 01.10.2014, në zbatim të Dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 8592, datë 17.06.2014 “Për miratimin e strukturës organizative të FA të RSH”, Qendra vijon të qëndrojë institucion studimor, në vartësi të Komandantit të KDS-së, me emërtimin “Qendra e Doktrinës dhe Kërkimit”.
Objekti kryesor i punës së saj, që prej krijimit, ka qenë sigurimi i mbështetjes së vazhdueshme të FARSH me doktrina, manuale dhe botime cilësore ushtarake, në kuadër të përmbushjes të misionit të saj.
Qendra e Doktrinës dhe Kërkimit, gjatë veprimtarisë së saj, është zhvilluar, duke u shndërruar në një qendër të kërkimit, mësimdhënies, por njëherësh dhe të botimit të mjaft materialeve studimore e shkencore, studimit dhe përpunimit të mendimit ushtarak bashkëkohor e doktrinar. Qendra në vijimësi ka forcuar lidhjet dhe bashkëpunimin me komandat e forcave ushtarake dhe institucionet shkencore të vendit e jashtë tij. Qendra ka mundësuar harmonizimin dhe gërshetimin e praktikës së stërvitjeve të ndryshme me materialet teorike dhe doktrinare, në interes të FA. Në vijimësi është reformuar në strukturë dhe emërtimi i saj ka ndryshuar në vite, në përputhje me misionin e saj nga periudha në periudhë.
Aktualisht, QDK ka tre departamente, që punojnë për çështje të strategjisë, zhvillimit të koncepteve, të doktrinave, mësimeve të nxjerra, publikimeve doktrinare, si dhe të standardizimit.
Përgatitja dhe botimi i Revistës Ushtarake, si organ teoriko-shkencor i KDS, ka qenë aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së QDK-së. Veprimtaria e botimit të Revistës Ushtarake, nisi në vitin 2002 dhe, më 10 dhjetor 2003, Revista Ushtarake u klasifikua si revistë shkencore me vendim nr. 4 të Komisionit të Kualifikimit Shkencor, pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Drejtuesit e këtij institucioni shkencor në vite kanë qenë: Kolonel Dr. Taqo Trajçe (2001-2006), Kolonel Dr. Flamur Skraparlliu (2006-2008), Kolonel Sami Neziri (2008-2010), Kolonel Dr. Ahmet Leka (2010-2014), Kolonel Fadil Grosha (2014 e në vazhdim).

Shko në krye