KDS, është institucioni më i kompletuar i sistemit të arsimimit dhe trajnimit në FARSH. Përgatitja e vazhdueshme e personelit ushtarak dhe civil si drejtues dhe luftëtarë, teknikisht e taktikisht kompetentë, zotërues të aftësive të larta drejtuese, që demonstrojnë besim, integritet, që veprojnë në një gamë të gjerë misionesh e në një terren kompleks e të ndryshueshëm, që janë të aftë të ndërtojnë grupe efektive mes ndryshimeve të shpeshta organizative dhe teknologjike dhe, që zgjidhin problemet në mënyrë krijuese, përbën thelbin e punës së Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
KDS është një institucion me personel dhe kapacitete të larta intelektuale dhe akademike, elitë e FA, njohës shumë të mirë të historisë së Shtetit Shqiptar dhe veçanërisht për historinë e krijimit dhe arritjeve të Forcave të Armatosura. Përzgjedhja e këtij personeli bëhet dhe vazhdon të bëhet mbi bazë kriteresh akademike, por dhe përvojës së tyre në njësitë e repartet e FA, e veçanërisht në operacionet e NATO-s, duke synuar përmirësimin e vazhdueshëm e cilësor të trupës pedagogjike, duke thithur prurje të reja që vijnë nga "auditorët" e operacioneve në terren e njëkohësisht duke rritur peshën specifike të leksioneve dhe seminareve, që zhvillohen në auditoret e këtij institucioni, jo vetëm në shqip, por edhe në gjuhën angleze.
KDS kryen menaxhimin e Sistemit të Standardizimit në FA, i cili është instrumenti kryesor, nëpërmjet të cilit FARSH integrohen në Aleancë. Gjithashtu, pjesë përbërëse e punës së institucionit të KDS janë dhe monitorimi i Sistemit të Mësimeve të Nxjerra në FA; arsimimi dhe trajnimi i nënoficerëve të të gjitha niveleve të FA dhe të personelit të mesëm civil të administratës së mbrojtjes, të njehsuar me funksionin e nënoficerit për zhvillimin e karrierës së tyre në Forcat e Armatosura; zhvillimi, bashkërendimi, sigurimi dhe menaxhimi i trajnimit të aftësive individuale gjatë gjithë ciklit të karrierës, si dhe certifikimin e trajnimit të aftësive për të gjithë anëtarët e FARSH; përgatitja e shtabeve të të gjithë niveleve të realizuar nëpërmjet simulimit konstruktiv, sigurimi i hapësirave dhe i kapaciteteve poligonale për përgatitjen kolektive të të gjitha llojeve të trupave nëpërmjet stërvitjes reale në terren, si dhe vlerësimi operacional i shtabeve dhe të njësive e reparteve të FA-ve; mbështetja e MM, FA dhe strukturave në varësi të tyre me informacion për libra, doktrina, manuale, rregullore, periodik, materiale promocionale, si dhe në formë elektronike; zbatimi i programit të politikave dhe procedurave të arsimimit, kualifikimit dhe testimit në gjuhë të huaj të personelit në FA; arsimimi dhe kualifikimi i kandidatëve për oficer  për drejtimin e nënrepartit; arsimimi dhe kualifikimi i oficerëve të shtabit dhe drejtuesve të lartë ushtarakë e civilë të Forcave të Armatosura dhe institucioneve të tjera të sigurisë, si dhe studimet e avancuara në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, nëpërmjet kurseve institucionale (KTHOSH, KKSHP, KLO, KLSM). Në fushën e kualifikimit shkencor ky institucion nëpërmjet AFA, sipas ligjit të Arsimimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, ka të drejtën të organizojë studime të thelluara pasuniversitare në fushën e Sigurisë e të Mbrojtjes, cikli i dytë dhe i tretë i studimeve, niveli "Master" dhe "Doktoraturë", sikurse dhe klasifikimin e punonjësve shkencorë.
KDS nëpërmjet një tematike përzgjedhëse në fushën e doktoraturës, si dhe nëpërmjet "Revistës Ushtarake", si i vetmi organ teoriko-shkencor i FA krijon hapësirë dhe në të njëjtën kohë zhvillon mendimin e avancuar ushtarak, rreth çështjeve të reformës dhe transformimit, integrimit në strukturat euroatlantike dhe ato evropiane të sigurisë, të profesionalizmit e të zhvillimit të një sistemi të integruar të arsimimit e stërvitjes, etj.
Në këtë institucion,nga AFA, po ashtu, zhvillohet dhe Kursi i Lartë i Sigurisë dhe Mbrojtjes, në nivel rajonal si kursi më i lartë institucional në hierarkinë e arsimimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, i cili synon të trajnojë ushtarakë me gradën Kolonel ose civilë ekuivalentë me ta, nga institucionet e Sigurisë dhe Mbrojtjes jo vetëm vendas por edhe nga rajoni në tre fusha themelore: shkëmbim i përvojës midis vendeve të rajonit në fushën e sigurisë dhe reformave të mbrojtjes; eksplorim i rrugëve të përbashkëta për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit; promovimin e përpjekjeve të përbashkëta në mbështetje të integrimit Euroatlantik.
Angazhimi ynë është i tillë që ndërtimi, organizimi dhe zhvillimi i arsimimit, stërvitjes dhe mendimit ushtarak doktrinar i FA, të reflektohet në Strategjinë Ushtarake të RSH,në planet e transformimit të tyre, kurrikulat arsimore, si dhe të zhvillohen me seriozitet, profesionalizëm e maturi. Procesi i transformimit kërkon jo vetëm njohje, por edhe pranimin e ushtrimin e përparësive që e shoqërojnë atë.
Të gjitha detyrat e objektivat e mësipërme realizohen nga strukturat e KDS si, Akademia e Forcave të Armatosura, Qendra e Doktrinës, Qendra e Simulimit, Qendra e Librit dhe Mbështetjes me Informacion, Akademia e Nënoficerëve "Thomson"; Shkolla e Trupës, Bunavi.
Megjithatë, një institucion ushtarak arsimor është vërtet bashkëkohor kur mbështetet mbi një infrastrukturë bashkëkohore. Ne përpiqemi të zgjerojmë dhe modernizojmë mjediset, duke nisur që nga laboratorët, bibliotekat, informatizimi, si dhe rritja e cilësisë së mësimdhënies dhe përmirësimit të kurrikulave.
KDS, ka për detyrë të vazhdueshme të ngulmojnë e të punojë me mentalitetin e transformimit të vijueshëm në ndërtimin, organizimin dhe zhvillimin e mendimit teoriko-shkencor e doktrinar për përdorimin me efektivitet të forcës së ardhshme. Për këtë, duke shfrytëzuar më së miri përvojën pozitive të këtyre dekadave, në organizimin dhe zhvillimin konceptual të FA, në punën tonë kemi se ç'të përmirësojmë e të përsosim, kemi shumë gjëra për të bërë, mbështetur në filozofinë dhe metodologjinë e re të kërkuar dhe, në mjedisin e ri të krijuar. Kjo është përgjegjësi e jona për të ardhmen, për vazhdimësinë e sigurt të së nesërmes.
Të gjithë së bashku do të vazhdojmë të punojmë me profesionalizmin e disiplinën që na karakterizon bashkë me njerëzit që janë pjesë e traditës së këtij institucioni, si dhe t'u urojmë mirëseardhjen të gjithë atyre që duan të mësojnë më shumë rreth tij.