e enjte 01.11.2018 

Në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, për një periudhë një mujore u zhvillua procesi i përzgjedhjes së nënoficerit më të mirë për vitin 2018. Ky proces u realizua në dy faza, ku faza e parë përkoi me përzgjedhjen dhe nxjerrjen e fituesve të të gjithë institucioneve të varësisë së KDS, si Akademia e Forcave të Armatosura, Akademia e Nënoficerëve, Qendra e Simulimit, Shkolla e Trupës Bunavi, Vlorë dhe Qendra e Doktrinës dhe Kërkimit. Faza e dytë e zhvilluar nën një konkurrencë mjaft të fortë, vijoi me fituesit e tre vendeve të para të institucioneve.

Procesi i përzgjedhjes së nënoficerit më të mirë të vitit 2018, për Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, u realizua në një sërë rubrikash si: testimi i përgatitjes fizike, testi intelektual, prezantim i një teme me fokus nga FA, e testi i gjuhës së huaj. Pjesë e kritereve përzgjedhëse ishin dhe vlerësimet vjetore të përformancës së nënoficerëve si dhe marshimi prej 20 km.

Në këtë proces morën pjesë 72 nënoficerë nga grada e nëntetarit deri tek rreshteri. Në përfundim sipas list-meritës, vendin e parë e zuri Rreshter Julian Shabani, efektiv i Qendrës së Simulimit, vendin e dytë e zuri Tetar Irida Hyka, efektiv i ANO dhe vendin e tretë e zuri nëntetar Mirlin Çeka, efektiv i ANO.

Kryekapter Durim Valisi, në cilësinë e kryetarit të bordit përzgjedhës shprehet për këtë kompeticion, se: “Në përgjithësi, gara ishte mjaft e fortë, sidomos faza e dytë. Konkurentët në këtë garë shpalosën energjitë e tyre positive, kryesisht në testimin fizik, intelektual dhe atë profesional. Risi nga vitet e kaluara, në procesin e këtij viti ishin përfshirja si kriter përzgjedhës edhe e elementit të marshimit prej 20 km, si dhe rritja e numrit të femrave në konkurim, në një masë prej 20%”.