Paraditen e sotme në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, ishte i ftuar si lektor nderi në Kursin e Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ish-Shefi i Shtabit të FA gjermane, Gjeneral Volker Wieker.
Në mjediset e auditoriumit të MM, nën një audiencë të gjerë jo vetëm me KLSM, por dhe me kursantët e KTHOSH, KKSHP, KLO, Gjeneral Wieker trajtoi temën “Dinamikat dhe interesat e fuqisë kombëtare”. Në këtë aktivitet morën pjesë dhe SHSHPFA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, Komandanti i KDS, Gjeneral Brigade Prof. Asoc. Bajram Begaj, profesorë dhe pedagogë të Akademisë së Forcave të Armatosura.


Në hyrje të prezantimit, Gjeneral Wieker, shprehu mirënjohjen e tij për ftesën për të qene prezent në Shqipëri, si dhe për të lektuar përpara një auditori të gjerë të Akademisë së Forcave të Armatosura shqiptare. Ai u shpreh se: “Gjatë shërbimit tim në Shtabin e Mbrojtjes Gjermane, kam qenë iniciator i traditës për të ftuar kolegët nga vendet e tjera të NATO-s dhe BE-së, për të dhënë secili një prezantim mbi mjedisin e sigurisë dhe shqetësimet që ata kanë mbi ngjarjet aktuale që po ndodhin anembanë botës”.
Në këtë kuadër, në temën e trajtuar, Gjeneral Wieker u ndal në ngjarjet dhe eventet më të rëndësishme që po has bota sot, si globalizimi, zhvillimi i teknologjisë së informacionit, zhvillimi dhe shpërndarja demografike, dhe së fundmi qeverisja e varfër. Tema e trajtuar nga Gjeneral Wieker, u prit me interes të madh nga ana e studentëve, kursantëve shqiptarë dhe të huaj pjesëmarrës në KLSM, për nga vetë rëndësia dhe aktualiteti që kjo temë ofroi për fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.
Në përfundim të lektimit, në shenjë falenderimi, Komandanti i KDS, Gjeneral Brigade Prof. Asoc. Bajram Begaj, i akordoi ish-Shefit të Shtabit të Gjermanisë, Gjeneral Volker Wieker, “Çertifikatën e Nderit”, si dhe i dhuroi logon e institucionit të KDS.
Më pas, ish-Shefi i Shtabit të FA gjermane, Gjeneral Volker Wieker, i shoqëruar nga Komandanti i KDS, Gjeneral Brigade Prof. Asoc. Bajram Begaj, vijoi axhendën e takimeve me SHSHPFA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku.