e premte 20.07.2018

Në mjediset e Muzeut të FARSH, u zhvillua paraditen e sotme ceremonia e përfundimit të Kursit të Arsimimit të Përgjithshëm të Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura. Në këtë ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes zj. Olta Xhaçka, anëtarë të Komisionit të Sigurisë, ZV/SHSHPFA Gjeneral Brigade Manushaqe Shehu, komandantët e forcave, gjeneralë, drejtorë drejtorish në MM dhe SHP, si dhe familjarë të kadetëve.

Në fjalën e rastit, Komandanti i KDS, Gjeneral Brigade Prof.Asoc.Bajram Begaj, u shpreh: “Sot është një ditë e shënuar për mbarë FA dhe në veçanti për ju oficerë të rinj,

pasi shënon kapërcimin e madh që ju bëtë, duke kaluar nga jeta civile duke iu bashkuar trupës së oficerëve të Forcave tona të Armatosura. Formimi dhe arsimimi i oficerëve të rinj është konsideruar gjithmonë si në sfidë transformuese për t’iu përshtatur sa më mirë ndryshimeve sociale, teknologjike dhe ushtarake. Synimi ynë i përbashkët, - ka vijuar gjeneral Begaj, - është që oficeri i ardhshëm duhet të jetë i aftë për të drejtuar nënreparte e reparte në misionet luftarake dhe jo luftarake të FA brenda dhe jashtë vendit; të kryejë me integritet detyra luftarake dhe jo luftarake me nivel të lartë vështirësie në kuadër të Aleancës; të integrojë vlerat më të mira të shoqërisë në fushën e mbrojtjes dhe, të përçojë karakterin dhe vlerat më të mira të FA në shoqërinë civile; të ketë ndjenjë të lartë integriteti, vetëmohim e besnikëri, nismë e përgjegjësi, ndershmëri dhe respekt, për eprorët dhe vartësit në kryerjen e detyrave të ngarkuara; të kërkojë dhe marrë përgjegjësi në detyrën që kryen; të zotërojë konceptet, teknikat fondamentale ushtarake dhe të kuptojë taktikën dhe doktrinën ushtarake”. Gjeneral Begaj, falenderoi të gjithë stafin akademik për impenjim maksimal në mësimdhënie e trajnim, vlerësoi ndihmë e pakursyer të MM, për përmbushjen e objektivave dhe realizimin me sukses të gjithë procesit të përgatitjes së oficerëve të rinj, falenderoi familjarët e kadetëve si dhe duke përfunduar fjalën e rastit, iu uroi suksese të mëtejshme kadetëve të sapo diplomuar, si pjesë e gjeneratës së FA.

 

Një përshëndetje e veçantë të oficerëve të sapo diplomuar, u është adresuar nga MM, zonja Olta Xhaçka, e cila pasi shprehu kënaqësinë e marrjes pjesë në këtë ceremoni shumë të veçantë, u shpreh ndër të tjera: “karriera e ushtarakut është një karrierë plot sakrifica edhe kufizime, por sigurisht për një mision shumë të rëndësishëm, ndoshta misionin më të rëndësishëm që kemi të gjithë bashkë që është siguria e qytetarëve shqiptar dhe siguria e atdheut tonë të përbashkët. Porta që ju po kaloni sot, ka vijuar ministrja Xhaçka, - nuk është e vetmja, por është porta kryesore prej ku ju do të vijoni rrugëtimin drejt thellimit të njohurive ushtarake. Forca e Armatosur, do ta mbajë të hapur portën drejt dijes dhe dot’iu japë juve dhe çdo të riu sikundër ka bërë përgjatë këtyre viteve, mundësinë e arsimimit më tutje në akademitë më prestigjoze të aleatëve tanë si në Amerikë, në Britani, në Gjermani, në Itali, në Greqi, etj., për t’u kthyer më pas në përfaqësuesit më të denjë të Shqipërisë krah mijëra efektivëve nga vendet aleate të familjes së madhe euro – atlantike. Dhe ne të gjithë së bashku do jemi garantët e ëndrrës për të qenë imazhi i sigurisë së vendit tonë” - përfundoi fjalën përshëndetëse ministrja Xhaçka.

Në emër të oficerëve të rinj, përshëndeti kadete Erjona Zogaj, e cila duke mos fshehur emocionet e kësaj dite të veçantë dhe pasi falënderoi të gjithë për mbështetjen, u shpreh ndër të tjera se: “Rrjedha e jetës që kemi ndërrmarë kërkon shumë përgjegjësi dhe përkushtim të veçantë, duke marrë me vete sfida dhe përgjegjësi të mëdha, për të demonstruar vullnetin dhe aftësinë tonë për të qënë ushtarakë të denjë e të përkushtuar për ti shërbyer vendit tonë. Pjesëmarrja e 12 femrave ndër 43 veta, tregon guximin dhe iniciativën e femrave për të qënë pjesë e një strukture që nga mentaliteti i mëparshëm apo tabuve është konsideruar si i papërshtatshëm apo i papërballueshëm nga gjinia femërore. Diplomimi i sotëm tregon krejt të kundërtën, fakt që përbën një shëmbull unik inkurajimi mbi pjesëmarrjen e femrave në FA, - përfundoi kadete Zogaj.

Më tej, ceremonia vijoi me shpërndarjen e diplomave si dhe certifikatave të vlerësimit për kadetët me rezultatet më të mira.