e premte 29.06.2018

Në auditoriumin e Ministrisë së Mbrojtjes, u zhvillua paraditen e sotme, ceremonia e diplomimit të kursantëve të Kursit të Lartë të Oficerit dhe kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, të Akademisë së Forcave të Armatosura, për vitin akademik 2017-2018.
Të pranishëm në ceremoni ishin: Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Brigade Dr. Bardhyl Kollçaku, Komandanti i KDS, Gjeneral Brigade Prof.Asoc.Dr. Bajram Begaj, Komandanti i Brigadës së Mbështetjes Operacionale në FSK Gjeneral Brigade Naim Haziri, Komandanti i AFA Kolonel Dr. Eduart Bala, Komandantët e Forcave në FA, atasheu ushtarak i Kosovës Kolonel Bashkim Shillova, drejtorë drejtorish në Ministrinë e Mbrojtjes e Shtabin e Përgjithshëm, komandantë të institucioneve, familjarë të akademistëve, si dhe të ftuar të tjerë.


Komandanti/rektori i Akademisë së Forcave të Armatosura (AFA), Kolonel Dr. Eduard Bala, në fjalën e hapjes së kësaj ceremonie, falënderoi të ftuarit për pjesëmarrjen e tyre në këtë eveniment të rëndësishëm, Ministren e Mbrojtjes, Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, Komandantin e KDS, për mbështetjen maksimale dhe frytdhënëse të dhënë gjatë këtij viti akademik; stafin e AFA, si dhe kursantët për punën e bërë gjatë gjithë vitit akademik në arritjen e rezultateve në procesin mësimor. Kolonel Bala, duke ju drejtuar kursantëve vuri në dukje se përfundimi me sukses i studimeve në Akademi ka rritur kulturën profesionale të kursantëve, me ndikim në përmirësimin e punës kudo ku kursantët e sapodiplomuar do të shërbejnë në Forcat e Armatosura.
Më tej, ceremoninë e përshëndeti dhe Komandanti i KDS, Gjeneral Brigade Prof.Asoc. Dr.BajramBegaj. Gjeneral Begaj, pasi vlerësoi institucionin e AFA si një institucion i cili, ka luajtur dhe luan një rol parësor në përgatitjen dhe kualifikimin e ushtarakëve dhe civilëve të të gjitha niveleve të komandimit e të drejtimit në strukturat e Forcave tona të Armatosura, e vuri theksin në rëndësinë e procesit të arsimimit ushtarak dhe përgatitjes profesionale të oficerëve që shërbejnë në radhët e FARSH.Duke ju uruar suksese kursantëve që përfunduan vitin akademik 2017-2018, gjeneral Begaj theksoi se: “Jam i sigurt se ju keni fituar kapacitetet e mjaftueshme të profesionistit të vërtetë ushtarak, aq të nevojshëm dhe të domosdoshëm për Forcat tona të Armatosura. Programet mësimore të AFA janë programe gjithëpërfshirëse, të cilat synojnë përgatitjen e profesionistëve ushtarakë, duke ndërthurur dijet shkencore me praktikën, sipas kushteve konkrete dhe misioneve të njësive të Forcave tona të Armatosura, duke ndërthurur traditën tonë të vyer ushtarake me informacionin e ri bashkëkohor, si dhe duke i paraprirë perspektivës së zhvillimit dhe transformimit të Forcave të Armatosura.Ju, keni tani mundësinë të dërgoni në strukturat nga vini eksperiencën unike të fituar në akademi, formimin e ri dhe idetë e reja për të reflektuar ndryshimet e nevojshme në përgatitjen e strukturave të FA në përputhje me ndryshimet që koha kërkon. Me të diplomuarit në ditën e sotme, numri i përgjithshëm i ushtarakëve që kanë kryer studime dhe kualifikime institucionale shkon gjithnjë e në rritje. Ky fakt pasqyron dinamikën dhe kapacitetet me të cilat institucioni ynë arsimor ushtarak synon ti përgjigjet kërkesave aktuale dhe perspektivës në FA”.
Gjeneral Begaj, vlerësoi përpjekjet për përmirësimin e programeve dhe kurrikulave arsimore, për të gjitha fushat që zhvillohen në AFA, me synim konsolidimin e një akademie moderne e aftë për t’iu përgjigjur zhvillimit perspektiv të Forcave të Armatosura; realizimin me sukses të stërvitjeve të asistuara me kompjuter në Qendrën e Simulimit, stërvitjen dyshkallëshe komando-shtabi, të cilat ndikuan në përmirësimin e standardeve të stërvitjeve dhe unifikimin e procedurave të zhvillimit të saj, jo vetëm në programet e akademisë, por edhe në të gjitha strukturat e FA; kryerjen në gjuhën angleze të mbrojtjes së temave, sinjë hap i madh cilësor, i cili duhet të konsolidohet më tej.
Gjithashtu, Komandanti i KDS, Gjeneral Begaj, vlerësoi dhe angazhimin e përkushtimin e oficerëve kursantë të FS të Kosovës. “Të gjithë ushtarakët nga Kosova, që diplomohen në institucionet tona arsimore – ka nënvizuar Gjeneral Brigade Bajram Begaj, kanë treguar nivel të lartë angazhimi profesional, duke pasuruar në këtë mënyrë edhe jetën akademike e ushtarake të këtyre institucioneve. Dyert e institucioneve tona arsimore ushtarake do të jenë gjithmonë të hapura për FSK, ashtu si dyert e shtëpive tona,si një nga traditat më të vyera të shqiptarit, si vazhdimësi e ndihmës dhe bashkëpunimit tonë për ngritjen, ndërtimin dhe zhvillimin e FSK. Bashkëpunimi nuk është vetëm në shërbim të zhvillimit të ndërtimit të FSK, por edhe në shërbim të paqes, stabilitetit të qëndrueshëm në rajonin tonë, në shërbim të axhendës së përbashkët euro-atlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës”.
Në emër të të diplomuarve të kursit të Lartë të Oficerit përshëndeti nënkolonel Aleksandër Xhafa, i cili pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për praninë e tyre në këtë ceremoni të veçantë të diplomimit, nënvizoi programet bashkëkohore të ofruara nga Akademia e Forcave të Armatosura, leksionet tёrheqёse, diskutimet nxitёse dhe zgjidhjet praktike, si një pasuri të mendimit dhe veprimit.
Ceremonia e diplomimit të kursantëve të KLO dhe KKSHP të Akademisë së Forcave të Armatosura, për vitin 2017-2018, u përshëndet dhe nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH,Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku. Ndër të tjerash në fjalën e tij, gjeneral Kollçaku, ritheksoi edhe njëherë faktin që AFA është një institucion tashmë i konsoliduar jo vetëm për KDS por për gjithë FA, e që ka kontribuuar në nxjerrjen e resurseve njerëzore ushtarake, të cilët kanë shërbyer me profesionalizëm jo vetëm brenda radhëve të FA, por kanë shfaqur ndjenjë të lartë profesionalizmi dhe përfaqësie dhe në misionet paqeruajtëse jashtë vendit. Sistemi arsimor ushtarak bazohet në një sistem vlerash e meritokracie- ka vijuar Gjeneral Kollçaku. Profesioni i ushtarakut kërkon një zhvillimi të vazhdueshëm që konkretizohet më së miri me dijet e përfituara në kursin e KLO e KKSHP. Vizioni ynë është qëllimi i përbashkët, që është transformimi i FA. Kontributet tona kërkojnë nivel tepër të lartë cilësor, prandaj cilësia të jetë në epiqendër të arsimimit ushtarak- ka nënvizuar SHSHPFA, Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku. Në përfundim të fjalës përshëndetëse të tij, ai falenderoi për seriozitetin e treguar në të gjithë ecurinë e zhvillimit të mësimdhënies si dhe të arsimimit në përgjithësi.
Në KLO u diplomuan 16 nënkolonelë, nga të cilët 15 nënkolonelë, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të RSH dhe një n/kolonel i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në KKSHP u diplomuan 31 majorë, nga të cilët 25 majorë, pjesëtarë të Forcave të Armatosura të RSH dhe 6 majorë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.