e martë 08.05.2018 

Më datë 08.05.2018, në ambientet e auditoriumit “Gjeneral Enrico Tellini” të Garnizonit “Skënderbej” u zhvillua ceremonia jubilare me rastin e 60-vjetorit të krijimit të Akademisë së Forcave të Armatosura. Në ceremoni ishin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes zonja Olta Xhaçka, Zëvendësministri i Mbrojtjes zoti Petro Koçi, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA Gjeneral Brigade Bardhyl Kollçaku, Zëvendësshefi i SHPFA Gjeneral Brigade Manushaqe Shehu, anëtari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare zoti Vullnet Sina, komandanti i KDS Gjeneral Brigade Prof. Asoc. Bajram Begaj, komandantë forcash, komandanti/rektori i AFA Kolonel Dr. Eduard Bala, prefekti i Tiranës zonja Suzana Jahollari, atashetë ushtarakë të akredituar në vendin tonë, drejtorë drejtorish e këshilltarë në MM e SHPFA, ish-komandantë, ish-pedagogë e punonjës të akademisë, stafi akademik ekursantë të AFA, si dhe të ftuar të tjerë. 

 

Fjalën e hapjes në këtë ceremoni e mbajti komandanti/rektori i AFA kolonel Dr. Eduart Bala. Ndër të tjera, kolonel Bala theksoi se: “Ky përvjetor historik krijon besimin e patundur që, edhe në të ardhmen, Akademia e Forcave të Armatosura do të qëndrojë në ballë të misionit, rolit dhe detyrave për të përgatitur një lidership drejtues ushtarak, i cili do të jetë i aftë të realizojë me sukses misionin që FA-të kanë në kuadër të mbrojtjes së vendit, në përballjen me fatkeqësitë natyrore dhe në ndihmë të popullit tonë, por edhe të bashkëpunimit të suksesshëm, në kuadër të aleancës me NATO-n.”
Më tej, fjalën përshëndetëse e mori komandanti i KDS Gjeneral Brigade Prof. Asoc. Bajram Begaj. Në fjalën e tij, gjeneral Begaj vuri në dukje se: “...Akademia e Forcave të Armatosura përfaqëson institucionin më të lartë të arsimimit ushtarak në vendin tonë, institucion me profil të veçantë, i cili, për një periudhë 60-vjeçare, ka luajtur dhe luan një rol parësor në përgatitjen dhe kualifikimin e ushtarakëve dhe civilëve të të gjitha niveleve të komandimit e të drejtimit në strukturat e Forcave tona të Armatosura”. Gjeneral Begaj vuri në dukje se programet e kurseve që zhvillohen në akademi janë pjesë e sistemit të arsimit të lartë ushtarak si: programet e Kursit të Lartë të Sigurisë e Mbrojtjes, Kursit të Lartë të Oficerit, Kursit të Komandës së Shtabit të Përgjithshëm, Kursit Themelor të Oficerit të Shtabit, Kursit të Arsimimit të Përgjithshëm të Oficerit, kurseve në gjuhët angleze, frënge, gjermane, italiane, turke, greke, serbe, si dhe programet e kurseve për kontingjentet e trupave tona që nisen për misione në kuadër të Aleancës. Gjithashtu, komandanti i KDS theksoi se: “Arsimimi duhet të zhvillohet në një mënyrë të tillë që t’i paraprijë transformimit të Forcave të Armatosura, duke përditësuar metodologjinë, programet mësimore e doktrinat ushtarake, duke hartuar e rishikuar procedurat standarde për të normëzuar e unifikuar proceset dhe për të siguruar ndërveprueshmërinë me aleatët, me qëllim që t’u përgjigjet nevojave kombëtare, realiteteve dhe mundësive të reja, në kushtet e një mjedisi të ri të sigurisë dhe të jetë i përputhshëm me sistemin e arsimit kombëtar dhe shkollave të vendeve të NATO-s.

Një nga aspektet e ndryshimit që do të evidentoj është nisma që kemi ndërmarrë gjatë këtij viti akademik, për të sjellë në auditoret tona për të lektuar dhe bashkëbiseduar drejtuesit dhe komanduesit e strukturave të Forcave të armatosura duke filluar nga vetë ministri i mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe komandantët e forcave e për të trajtuar problematikat dhe trendin e Forcave të Armatosur, për të lidhur më mirë teorinë me zhvillimet praktike dhe përgatitjen e kontigjenteve për operacionet ndërkombëtare në kuadër të NATO-s, BE dhe OKB..

Këto problematika dhe zhvillime të Forcave të Armatosura dhe shoqërisë shqiptare, do të jenë edhe objekt i studimit dhe analizës për punime e kërkim shkencor, të cilat do të kulmojnë në fundin e këtij viti akademik me mbrojtjen e temave të diplomës me tema të propozuara nga strukturat e FA dhe të zhvilluara nga sdudentët e kurseve të larta të studimit në gjuhën angleze. Kjo jo vetëm do të rrisë ndjenjën e punës dhe përkushtimit intelektuar, por do t,i bëjë studentët tanë më të ndërveprueshëm me aleatët në kryerjen e detyrave dhe operacioneve të përbashkëta.

Në fjalën e tij, gjeneral Begaj shprehu mirënjohje për Ministrinë e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, universitetet e institucionet brenda dhe jashtë vendit, ato partnere dhe rajonale si në SHBA, Britani, Gjermani, Turqi, Itali, Greqi, etj., duke veçuar Qendrën “Marshall”, Kolegjin e Mbrojtjes në Romë, Akademinë e Drejtimit të Hamburgut, si dhe akademitë e kolegjet e vendeve anëtare të NATO-s, që, me mbështetjen e dhënë dhe bashkëpunimin e përbashkët, kanë kontribuuar në arritjet, pozicionin dhe reputacionin e Akademisë së Forcave të Armatosura dhe në tërësi të arsimimit ushtarak.
Në përfundim, komandanti i KDS Gjeneral Brigade Bajram Begaj theksoi se: “Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes do të jetë në mbështetje të përmbushjes së sfidave të arsimimit ushtarak profesional jo vetëm për vitin që jemi, por edhe në vitet në vijim, me qëllim përmbushjen e rekomandimeve të lëna nga Bordi i Akreditimit të Agjencisë së Sigurimit në Arsimin e Lartë; për përmirësimin e programeve dhe modernizimin e metodologjisë dhe për të aplikuar mësimet e nxjerra për të rritur nivelin e formimit të lidershipit të ardhshëm të FA, në të gjitha nivelet e kurseve institucionale, duke e çuar atë në një format strukturimi si institucioni i vetëm ekspert në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, konform standardeve të arsimit të lartë kombëtar, me fakultete, programe studimi të akredituara, të ciklit të dytë “Master Profesional” e “Master i Shkencave”, si dhe aplikim të programit të doktoraturës, në studime për fushën e mbrojtjes e sigurisë.Në aspektin e forcimit të kapaciteteve arsimore ushtarake, duke filluar nga ky vit akademik të punojmë fort për të bërë një hap cilësor në avancimin e stafit të brendshëm akademik, e profesorëve, duke respektuar me përpikmëri ligjin e arsimit të lartë e kërkimit, në drejtim të përzgjedhjes dhe meritokracisë ”.
Në emër të ish-komandantëve që e kanë drejtuar akademinë në vite, foli Gjeneral Brigade në pension Prof. Dr. Kostaq Karoli.
Ministri i Mbrojtjes zonja Olta Xhaçka, në fjalën përshëndetëse të saj, vuri në dukje se: “Akademia e Forcave të Armatosura ka qenë dhe mbetet mbartëse dhe reflektuese e moralit, vlerave dhe frymës atdhetare e patriotike të popullit, zëdhënëse e traditave të pasura të Forcave të Armatosura, qendër e rëndësishme e mendimit shkencor, kulturës dhe historisë ushtarake, me profil të spikatur në tërë sistemin e institucioneve të arsimit të lartë publik të vendit tonë. Pavarësisht ndryshimeve të emërtimeve që ka pasur në vite, duke e zhveshur rrugën e saj nga kufizimet e kohës e të sistemeve nëpër të cilat ka kaluar institucioni, asnjëherë nuk ka ndryshuar misionin e saj në funksion të arsimimit dhe kualifikimit të brezave të tërë ushtarakësh për t’i shërbyer në çdo kohë dhe situatë atdheut, në përshtatje me sfidat që ka shtruar koha duke përgatitur ushtarakë, profesionalisht të aftë, në nivelet e akademive homologe perëndimore, duke u shndërruar në një qendër studimore shkencore të përpunimit dhe të mendimit ushtarak bashkëkohor e doktrinar. Akademia e Forcave të Armatosura po bën një punë të mirë dhe përpjekje në gërshetimin e përvojës së akumuluar ndër vite me risitë e arsimit ushtarak perëndimor në ditët e sotme, në përmirësimin e standardeve dhe cilësisë, aplikimin e metodave bashkëkohore të mësimdhënies e të kërkimit shkencor, ku spikasin sigurimi i akreditimit institucional si institucion i arsimit të lartë dhe përfundimi me sukses i Kursit të Lartë të Sigurisë dhe Mbrojtjes, një forum tashmë i konsoliduar me pjesëmarrës nga vendet e rajonit dhe Aleancës, ku diskutohen dhe shkëmbehen përvojat mbi çështjet e interesit të përbashkët të sigurisë dhe mbrojtjes”.
Në përfundim, Ministri i Mbrojtjes zonja Olta Xhaçka, theksoi se Akademia e Forcave të Armatosura do të vazhdojë të jetë prioritet i Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, duke pasur bindjen dhe besimin e patundur se ky institucion i ka të gjitha mundësitë të konturojë një vizion të ri që reflekton elementët cilësorë të filozofisë së re të arsimit ushtarak bashkëkohor, duke i paraprirë zhvillimit dhe transformimit të mëtejshëm të Forcave të Armatosura.
Ceremonia u përmbyll me realizimin e një fotoje të përbashkët.