e enjte 05.04.2018

Bazuar në Planin e Veprimtarive Kryesore të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes për vitin 2018, me datë 5 Prill 2018, ora 12.00, në auditoriumin e MM, u zhvillua tryeza me temë “Zhvillimet më të fundit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, reflektimi i tyre në Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes – 2018”. Takimi u organizua nga Qendra e Doktrinës dhe e Kërkimit në bashkëpunim me Akademinë e Forcave të Armatosura. Pjesëmarrësit në tryezë ishin Komandanti i KDS gjeneral brigade Prof. Asoc. Bajram Begaj, shefat kryesorë në shtabin e KDS, pedagogët dhe kursantët e Akademisë së Forcave të Armatosura, personeli i Qendrës së Doktrinës dhe Kërkimit, etj. Qëllimi i kësaj tryeze ishte vlerësimi i mjedisit aktual dhe të pritshëm të sigurisë dhe të mbrojtjes, identifikimi i interesave dhe objektivave kombëtarë, argumentimi i një balance efektive të

raportit të rreziqeve të shprehura në skenarët e mundshëm dhe kapaciteteve reaguese për përballimin e tyre, argumentimi analitik për rolin e Forcave të Armatosura, sasinë dhe cilësinë e kapaciteteve që ato duhet të disponojnë sipas skenarëve më të mundshëm të përdorimit të tyre si dhe organizimi i tyre në një forcë moderne e të aftë në përmbushjen e misionit kushtetues, në kuadrin e mbrojtjes kolektive apo më vete. Fjala e hapjes në këtë tryezë u mbajt nga komandanti i QDK Kolonel Fadil Grosha. Në fjalën e tij, kolonel Grosha theksoi se qëllimi i këtij diskutimi është nxitja e mendimit të kualifikuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për të trajtuar çështje të rëndësishme të politikës së mbrojtjes, nëpërmjet shkëmbimit të ideve profesionale dhe akademike, dhe shprehjes së mendimeve dhe opinioneve për çështje të rëndësishme të Politikes së Mbrojtjes. Në fund, ai shprehu edhe vlerësimin për bashkëpunimin e frytshëm me Akademinë e Forcave të Armatosura.

Temat që u trajtuan në tryezë nga personeli i departamenteve të Qendrës së Doktrinës dhe Kërkimit dhe Akademisë së Forcave të Armatosura përfshinin mjedisin e sigurisë së RSH, kërcënimet dhe rreziqet për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit, vlerësime rreth çështjeve të rolit, misionit, detyrave kryesore dhe strukturës së FA, kapaciteteve të mbrojtjes, planifikimit të personelit, burimeve materiale dhe skenarëve të mbrojtjes.
Referati kryesor u mbajt nga gjeneral brigade® Bardhyl Hoxha, Shefi i Departamentit të Kërkimit për Siguri dhe Mbrojtje në QDK, i cili ishte edhe moderator i tryezës. Më tej, diskutimi u zhvillua në tre panele dhe respektivisht: Paneli i parë me objekt “Mjedisi sigurisë, kërcënimet dhe rreziqet për sigurinë dhe mbrojtjes”, ku prezantuar punimet e tyre N/Kol. Dedë Marku dhe N/Kol. Shpresim Shllaku; Paneli i dytë me objekt “Rishikimi i rolit, misionit, detyrave, strukturës dhe zhvillimi i kapaciteteve të FARSH”, ku prezantuan punimet e tyre n/kolonel ® Kanan Himaj, n/kolonel Kosta Jano dhe n/kolonel Adriatik Ferrollari dhe paneli i tretë me objekt “Planifikimi i Mbrojtjes”, ku prezantuan punimet e tyre n/kolonel Dhurata Gaxhi dhe n/kolonel Alda Sula.
Në fjalën e tij përshëndetëse Komandanti i KDS gjeneral brigade Prof. Asoc. Bajram Begaj, përgëzoi grupin organizativ dhe koordinues për punën e bërë për organizimin dhe mbarëvajtjen e këtij diskutimi, i cili do t’i kontribuojë dhe mbështesë edhe Grupin Ndërministror të Punës për Rishikimin Strategjik të Mbrojtjes krijuar në zbatim të urdhrit të Kryeministrit të RSH nr.85, datë 31.05.2017 dhe urdhrit të MM nr.1238, datë 19.06.2017, me synim realizimin e një qasje analitike bashkëkohore ndaj sfidave dhe rreziqeve të mjedisit të sigurisë kombëtare, rajonale e më gjerë, që duhet të trajtohen si parakushte për kërkesa të argumentuara për kapacitetet e mbrojtjes sonë kombëtare. Më tej, theksoi se RSM, si dokument shumë i rëndësishëm kërkon angazhimin dhe kontributin, veçanërisht të QDK-së, por edhe të AFA-së, si dy struktura që kanë objekt punën kërkimore-shkencore. Në fund të fjalës së tij, gjeneral brigade Prof. Acos. Begaj theksoi se strukturat arsimore dhe kërkimore në KDS, duhet të fokusohen më shumë në punën e tyre në çështje të tilla që lidhen me studimin, eksplorimin dhe trajtimin teorik, përfshirë zbatimin praktik të koncepteve, veçanërisht në fushën e operacionalitetit, ku objekt i veçantë i studimeve duhet të jetë analiza e veprimeve dhe sjelljes së aktorëve kryesorë shtetërorë dhe jo shtetëror në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, zhvillimi i koncepteve dhe kapaciteteve reaguese ndaj kërcënimeve asimetrike, vlerësimi i strategjisë ushtarake brenda procesit të planifikimit të Mbrojtjes së NATO-s, zhvillimi i kapaciteteve operacionale në bazë nivelit të ambicies etj.
Pjesëmarrësit adresuan pyetje dhe dhanë mendime rreth temave të diskutimit, të cilat i pasuruan më tej vlerat e këtij aktiviteti.
Në fund, moderatori gjeneral brigade (R) Hoxha, evidentoi përfundimet më të rëndësishme, të cilat pas diskutimit dhe rishikimit nga QDK dhe Shtabi i KDS-së, do t’i dërgohen Grupit Ndërministror të Punës për hartimin e RSM-2018.