e marte 03.04.2018

Ashtu si është bërë traditë sot me datë 03.04.2018, në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes u zhvillua “Ora e Komandantit”. I ftuari special që mbajti leksion para auditorit të KDS, stafit pedagogjik dhe kursantëve të AFA ishte Komandanti i Komandës së Forcës së Bashkuar të NATO-s në Napoli, Admiral James Foggo. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, Zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjeneral brigade Manushaqe Shehu, komandanti i KDS gjeneral brigade Prof. Asoc. Bajram Begaj dhe drejtorë të Shtabit të Përgjithshëm. Fillimisht, Admirali Foggo u shpreh se ndihej i privilegjuar të ishte pjesë e këtij auditori në Shqipëri, natyrisht kjo nuk ishte hera e parë për të, por këtë herë dëshiroi të ndante me pjesëmarrësit mendime dhe vlerësime për

kontributin e forcave shqiptare në misionet e përbashkëta paqeruajtëse në Afganistan dhe veçanërisht në Kosovë.
Çështjet që trajtoi gjatë prezantimit të tij kishin të bënin me eksperiencat dhe kontributin në jug të Afganistanit, në Irak, në Ballkanin Perëndimor dhe Kosovë. Gjatë prezantimit Admirali Foggo foli për rolin dhe kontributin e NATO-s në zgjidhjen e krizës së refugjatëve, menaxhimi i krizave dhe kapaciteteve njerëzore, reduktimin e trafikut të qënieve njerëzore, goditjen e krimit të organizuar dhe mbrojtjen nga armët kimike. Vec të tjerash, ai trajtoi edhe temat që lidheshin me interesimin e NATO-s për trajnimin dhe përgatitjen e personelit që shërben në ndihmë të ndërtimit të paqes në vendet ku kërcënohet paqja dhe siguria. Në përfundim të fjalës Admirali Foggo iu përgjigj pyetjeve të kursantëve. Në fund të aktivitetit, komandanti i KDS gjeneral brigade Prof. Asoc. Bajram Begaj i dha çertifikatë mirënjohjeje Komandantit të Komandës së Forcës së Bashkuar në Napoli , Admiral James Foggo.